Mospërfshirja e ‘Zërit të Kosovës’ dhe ‘Botës së re’, gabim i pafalshëm
Në Fjalorin enciklopedik të Kosovës, të botuar këto ditë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nuk janë përfshirë “Zëri i Kosovës” dhe “Bota e re”, që shquheshin për guximin që nga aksionet e para kur dolën në mbështetje të luftës çlirimtare të UÇK-së. Në Fjalorin enciklopedik të Kosovës nuk janë përfshirë as “Epoka e re” dhe “Demokracia autentike” e cila drejtohej nga Ukshin Hoti.
Ish-kryeredaktori i gazetës “Zëri i Kosovës”, Adnan Asllani, emri i të cilit është përfshirë në Fjalorin enciklopedik të Kosovës, por jo edhe gazeta “Zëri i Kosovës”, ka thënë se mospërfshirja e “Zëri të Kosovës” dhe “Botës së re” në Fjalorin enciklopedik është gabim i pafalshëm.
“Mospërfshirja e këtyre gazetave, që kanë pasur rol vendimtar për formimin e opinionit publik, në rrethana të caktuara kohore, më duket gabim i pafalshëm. Uroj që kjo gjë të ketë ndodhur nga pakujdesia por, meqë fjala është për një botim nga Akademia e Shkencave, do të duhej të kishte vëmendje më të madhe rreth lëshimeve të tilla kjo për hir të korrektësisë, por edhe si një shkëputje nga njëmendësia e kaluar moniste e diktatoriale”, ka thënë Asllani në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”.
Ai ka theksuar se në gazetën “Zëri i Kosovës” nuk thuhej asgjë tjetër pos së vërtetës për shtypjen, diskriminimin e nevojën e çlirimit të kombit shqiptar nga zgjedha pushtuese serbo-jugosllave. “Janë me mijëra shkrime, intervista, lajme e fotografi përmes të cilave ajo ka prezantuar realitetin e hidhur në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare nën pushtim”, ka thënë Asllani.
Ai ka bërë me dije se në gazeta “Zëri i Kosovës” kishte bashkëpunëtorë edhe emra të spikatur të gazetarisë, publicistikës, letërsisë etj. “Siç janë Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti, Shaban Sinani, Gazmend Shpuza, Ramiz Kelmendi, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Ali Podrimja etj”, ka treguar Asllani. Po ashtu, ai ka folur edhe për rolin dhe bashkëpunimin që kanë luajtur gazeta “Zëri i Kosovës” dhe “Bota e re”.
Ai ka treguar se “Bota e re”, përveçse ishte zëri i studentëve të Prishtinës, gjatë luftës në Kosovë kishte edhe një rol tjetër. “Në vitin 1998 gazeta ‘Zëri i Kosovës’ dhe gazeta ‘Bota e re’ kanë arritur një marrëveshje për të dalë me materiale të përbashkëta. Kështu, ‘Zëri i Kosovës’, në pamundësi të dilte me emrin e vet, gjatë kohës së luftës në Kosovë botohej me emrin ‘Bota e re’. Ndonëse me emër tjetër, gjithçka që botohej në gazetën ‘Zëri i Kosovës’ e gjeje brenda gazetës së studentëve ‘Bota e re’ dhe anasjelltas. Pra, mundësinë e botimit në Kosovë, që deri atëherë nuk e kishte ‘Zëri i Kosovës’, ia mundësi gazeta ‘Bota e re’”, ka thënë Asllani.
“Epoka e re”: Në Fjalorin enciklopedik të Kosovës, të botuar këto ditë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, është përfshirë edhe emri juaj si ish-kryeredaktor i “Zërit të Kosovës”, por jo edhe “Zëri i Kosovës”. Komenti juaj, ju lutem!
Adnan Asllani: Gazeta “Zëri i Kosovës” është themeluar më 1981 nga Jusuf Gërvalla me bashkëveprimtarët e tij. Që nga themelimi ajo asnjëherë nuk e ka ndalur botimin, duke dalë fillimisht e përmuajshme, pastaj më vonë e përdyjavshme, dikur javore e gjatë luftës në Kosovë, është botuar e përditshme. Gazeta botohej në shtetet perëndimore dhe gjendej në të gjitha pikat e shitjes nëpër kioske etj. Kurse në trojet shqiptare nën pushtim, bartej dorë me dorë në formë të fshehtë, pasi ishte e ndaluar dhe mund të dënoheshe me burg për posedimin ose leximin e saj. Vlen të theksohet se kryeredaktorët e pjesëtarët e tjerë të redaksisë ishin të gjithë përndjekur politikë. Në atë gazetë nuk thuhej asgjë tjetër, pos së vërtetës për shtypjen, diskriminimin dhe nevojën e çlirimit të kombit shqiptar nga zgjedha pushtuese serbo-jugosllave.
Janë me mijëra shkrime, intervista, lajme e fotografi përmes të cilave ajo ka prezantuar realitetin e hidhur në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare nën pushtim. Ajo ishte gazeta që kishte bashkëpunëtorë dhe emra të spikatur të gazetarisë, publicistikës, letërsisë etj., siç janë Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti, Shaban Sinani, Gazmend Shpuza, Ramiz Kelmendi, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Ali Podrimja etj. “Zëri i Kosovës” është gazeta e vetme shqipe e cila ka pasur guximin, që në aksionet e para, t’i dalë në mbështetje luftës çlirimtare të UÇK-së.
Si gazetë, përveç nga pushtuesit serbo-jugosllavë, ajo nuk shihej me sy të mirë edhe nga një pjesë e shqiptarëve të cilët kishin ndërgjegjen e vrarë për dëmet që i kishin shkaktuar popullit të tyre, duke botuar artikuj promovues për Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, duke i thurë lavde nga më të ndryshmet shokut të tyre, Tito etj., edhe duke dënuar demonstratat e vitit 1981 e duke dënuar çdo organizim patriotik shqiptar. Me një fjalë, një pjesë e shqiptarëve, fatkeqësisht edhe me përgatitje të lartë shkollore, ishin bërë vegla të pushtetit për ta dënuar rininë e për t’i dënuar të drejtat legjitime të popullit të tyre.
Pas ardhjes së pluralizmit, njerëz të tillë ndërruan petkun. Ata që në emër të Lidhjes së Komunistëve kishin dënuar demonstratat dhe rininë shqiptare, tani dilnin në përkrahje formale të atyre ngjarjeve, por që të burgosurit politikë dhe gjithë organizimin klandestin i etiketonin si të kuq, të papërshtatshëm, pa sens politik etj. Madje një pjesë e tyre, fatkeqësisht, përhapën mjegull edhe për UÇK-në si e dyshimtë, pjesëtarët e saj i quajti njerëz me maska, vegla të Beogradit e gjëra të tjera të pavërteta. Meqenëse edhe një numër i akademikëve aktualë kanë qenë pjesë e strukturave të Lidhjes së Komunistëve në të kaluarën, shtrohet pyetja se a mund të jetë e paqëllimshme mospërfshirja e gazetës ‘Zëri i Kosovës’ në fjalorin enciklopedik?
Do të ndihesha i trishtuar sikur kjo pjesë e ‘intelektualëve’ të kishte ndikuar në heqjen nga enciklopedia të gazetës ‘Zëri i Kosovës’ dhe kështu të vazhdonte shërbimin me apo pa vetëdije të mbjelljes së të pavërtetës tek gjeneratat e reja. Në fakt, edhe çdo arsyetim tjetër do të më dukej më shumë se banal!
“Epoka e re”: Krahas “Zërit të Kosovës”, mungojnë të gjitha gazetat e tjera të Lëvizjes Politike Kombëtare të periudhës 1980-1990. Si të shpjegohet kjo mospërfshirje nga ana e redaksisë së Fjalorit enciklopedik?
Adnan Asllani: Prandaj, fjala nuk është vetëm për gazetat si burime informacioni. Mua më duket se fjala është më shumë për vijën politike që kanë ndjekur ato gazeta e me të cilat nuk janë pajtuar pikërisht ata që përmenda më herët. Ata jo që nuk janë pajtuar me vijën politike, por ata ishin në taborë krejt të kundërt, fatkeqësisht. Derisa gazetat që botoheshin kryesisht jashtë vendit, e përvijoheshin fshehurazi në Kosovë, ndiqnin një vijë anti-pushtuese, një pjesë e shqiptarëve e kishin mirë me pushtetet dhe nuk i konsideronin pushtues. Më ka rënë të dëgjoj nga ata, e të lexoj ndonjë shkrim të tyre përmes të cilave, kur i referohen pushtimit të Kosovës, ata e kanë mendjen tek viti 1989, atëherë kur asaj iu suprimua edhe ajo autonomi, sado e cunguar që ishte. Gjithçka tjetër për këtë kategori dukej e tepruar, e panevojshme, madje e lidhur me shërbime të huaja. Thënë shkurt, ishin dhe janë për keqardhje!
“Epoka e re”: Meqenëse jemi te mospërfshirja, në Fjalorin enciklopedik mungon edhe “Demokracia autentike” e Ukshin Hotit si dhe gazeta studentore “Bota e re”, me të cilën ju, si kryeredaktor i “Zërit të Kosovës”, gjatë luftës keni pasur afri dhe bashkëpunim të veçantë. Ç’është ky përjashtim i gazetave kryesore mbështetëse dhe zëdhënëse të luftës së UÇK-së?
Adnan Asllani: “Demokracia autentike” kishte një politikë redaktuese të përafërt me gazetën “Zëri i Kosovës”. Edhe nga vetë emri i saj, e kuptueshme se ajo do t’i denonconte shtrembërimet që bëheshin në shoqërinë tonë. Aq më tepër që drejtues i asaj gazete ishte intelektuali i pakompromis, i dënuari dhe i përndjekuri politik, filozofi dhe ideologu Ukshin Hoti.
“Bota e re”, përveçse ishte zëri i studentëve të Prishtinës, gjatë luftës në Kosovë kishte edhe një rol tjetër. Në vitin 1998 gazeta “Zëri i Kosovës” dhe gazeta “Bota e re” kanë arritur një marrëveshje për të dalë me materiale të përbashkëta. Kështu, “Zëri i Kosovës”, në pamundësi të dilte me emrin e vet, gjatë kohës së luftës në Kosovë botohej me emrin “Bota e re”. Ndonëse me emër tjetër, gjithçka që botohej në gazetën “Zëri i Kosovës” e gjeje brenda gazetës së studentëve “Bota e re” dhe anasjelltas. Pra, mundësinë e botimit në Kosovë, që deri atëherë nuk e kishte “Zëri i Kosovës”, ia mundësoi gazeta “Bota e re”.
Mospërfshirja e këtyre gazetave, që kanë pasur një rol vendimtar në formimin e opinionit publik, në rrethana të caktuara kohore, më duket një gabim i pafalshëm. Uroj që kjo gjë të ketë ndodhur nga pakujdesia por, meqë fjala është për një botim nga Akademia e Shkencave, do të duhej të kishte vëmendje më të madhe rreth lëshimeve të tilla kjo për hir të korrektësisë, por edhe si një shkëputje nga njëmendësia e kaluar moniste e diktatoriale.