Mospërfundimi i punimeve në palestër, brenga e vetme para “Final 8”
Drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe të KB Rahoveci kanë apeluar te Komuna e Rahovecit dhe Ministria e Sportit që të përfundojnë sa me shpejt punimet në palestrën në Rahovec, pasi aty do të zhvillohet “Final 8” e Kupës së Kosovës në basketboll nga data 27 shkurt deri më 3 mars.
Kryetari i KB Rahoveci, Bekim Hoxha, është shprehur shumë i lumtur se Federata e Basketbollit të Kosovës i ka besuar skuadrës së Rahovecit organizimin e “Final 8” të Kupës së Kosovës në basketboll. Ai ka kërkuar nga institucionet lokale dhe qendrore që ta përkrahin klubin për kryerjen e punimeve në palestër.
“Ne jemi shumë të lumtur që FBK-ja na ka besuar organizimin e ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës. Ne si klub jemi zotuar para FBK-së se do t’i kryejmë të gjitha obligimet që dalin nga Udhëzuesi për Organizim të ‘Final 8’, si dhe nga kontrata, dhe kështu do të organizojmë një spektakël që do të mbahet mend gjatë në basketbollin e Kosovës. Shfrytëzoj rastin të bëj apel tek institucionet tona lokale dhe ato qendrore që të na përkrahin në këtë fazë përfundimtare të punimeve në palestër në mënyrë që të kryhet puna dhe ne të fillojmë përgatitjet intensive për organizimin e kësaj ngjarje madhështore”, ka thënë Hoxha pas nënshkrimit të kontratës.
“Final 8” i Kupës së Kosovës do të organizohet prej 27 shkurtit deri më 3 mars 2019, ndërsa sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit, Elvira Dushku, ka apeluar që të kryhen sa me shpejtë punimet në palestrën të cilën FBK-ja do ta inspektojë në fund të këtij muaji. “Ne bëjmë apel te Komuna e Rahovecit dhe te Ministria për Kulturë, Rini e Sport, që pjesa e mbetur e pakryer në palestrën në Rahovec të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, sepse në fund të muajit janar Federata do ta bëjë inspektimin përfundimtar të palestrës në mënyrë që ta bëjë një analizë të gjendjes së përgjithshme para punës intensive të ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës. Ne po besojmë që KB Rahoveci do t’i kryejë të gjitha zotimet e marra dhe kështu do të jemi të gatshëm për një spektakël të basketbollit në qytetin e Rahovecit, sepse me të vërtetë si klub e meriton dhe e ka merituar që kjo palestër të kryhet shumë herët, duke marrë parasysh organizimin dhe përkushtimin e tyre”, ka thënë Dushku.
Sekretarja e FBK-së më pas foli edhe për aktivitetet që e presin basketbollin e Kosovës në muajin shkurt. “Muaji shkurt tash e sa vjet është muaji i shumë aktiviteteve të FBK-së, duke filluar nga ndeshja Kosova – Rumania në kuadër të parakualifikimeve për ‘Eurobasket 2021’, pastaj në kuadër të ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës do të organizohet FIBA SCOD Camp për gjyqtarët e rinj, FIBA Camp për Gjyqtarët Potencialë për Thirrje të FIBA-s, ku këtu do të kemi 3 gjyqtarë nga Kosova, 1 nga Kroacia, 2 nga Franca, 1 nga Mali i Zi, 1 nga Turqia dhe 1 nga Sllovenia. Krahas këtyre aktiviteteve, FBK-ja tanimë e ka bërë traditë që në kuadër të ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës ta organizojë edhe Kuvendin e Punës, i cili do të mbahet më 3 mars në Rahovec. Të gjitha këto aktivitete do të jenë nën mbikëqyrje të FIBA Evropës. Kjo e fundit do të ketë përfaqësuesit e pranishëm në kuadër të ‘Final 8’, në krye me drejtorin e Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiq”, ka deklaruar Dushku.
Orari i të gjitha ndeshjeve
Më 27 shkurt takohen:
14:00 Bashkimi – Prishtina (gjysmëfinalja në konkurrencën e femrave)
16:30 Z Mobile Prishtina – Trepça
19:00 Rahoveci – Don Bosko
Më 28 shkurt takohen:
14:00 Vëllaznimi – Istogu (gjysmëfinalja e Kupës së Ligës së Parë)
16:30 Golden Eagle Ylli – Feronikeli
19:00 Ponte Prizreni – Bashkimi
Më 1 mars takohen:
14:00 Feronikeli – Penza (gjysmëfinalja e Kupës së Ligës së Parë)
16:30 Gjysmëfinalja e Parë e Kupës së Kosovës
19:00 Gjysmëfinalja e Dytë e Kupës së Kosovës
Më 3 mars takohen:
12:00 Finalja e Kupës së Ligës së Parë
14:30 Finalja e Kupës së Kosovës – Femrat
17:00 Finalja e Kupës së Kosovës – Meshkujt
/Epoka e re/