Mosratifikimi i marrëveshjeve, Hamza: Derisa nuk ndryshon qasja e partisë në pushtet, PDK-ja s’mund t’i përkrahë
Kuvendi i Kosovës në mungesë të kuorumit, për të dytën herë ka dështuar t’i votojë disa nga marrëveshjet ndërkombëtare.
Sipas nënkryetarit të Kuvendit dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deri sa nuk ndryshon qasja e partisë në pushtet, PDK-ja s’mund të përkrah votimin e këtyre marrëveshjeve.
“Duke i parë ambiciet e qeverisë aktuale në pushtet që brenda një viti 2021 të rrisë borxhin publik për gjysmë miliardi euro. Kjo tregon se po futemi në një situatë ku do t’i ngarkojmë gjeneratat e reja me këto obligime pa asnjë sqarim të nevojshëm. Për këtë qëllim, Kushtetuta dhe Ligji për borxhin publik e ka paraparë që marrëveshjet ndërkombëtare financiare t’i kenë dy të tretat e votave në Kuvend. Ne si grup opozitar kemi kërkuar dhe po insistojmë të kërkojmë më shumë transparencë, më shumë detaje e më shumë llogaridhënie dhe më shumë përgjegjësi rreth për ngarkimin e gjeneratave të reja me borxh publik”.
“Deri sa nuk ndryshon kjo gjendje edhe ky pozicion i partisë në pushtet, grupi parlamentar i PDK-së sigurisht që nuk mundet t’i përkrah. Ne kemi të drejtë si opozitë të kërkojmë sqarimet e nevojshme të secilës marrëveshje. Nëse rritet borxhi publik brenda një viti për 500 milionë euro, atëherë çfarë ndodh pas tri apo katër viteve”, ka thënë Hamza.
Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve që t’i votojnë katër marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk arritën të miratohen në seancat e kaluara në mungesë të kuorumit.