Mosratifikimi i marrëveshjeve, Hoti kërkon nga deputetët t’i marrin përgjegjësit kushtetuese
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas dështimit të ratifikimit të pesë marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Kuvendit.
Me këtë rast, ai ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë nevojë urgjente për mbështetje institucionale.
Në këtë kontekst, Hoti ka ftuar deputetët e Kuvendit t’i mbështetin këto marrëveshje, raporton “Epoka e re”.
“Kuvendi i Kosovës dështoi t’i votojë sot pesë marrëveshje ndërkombëtare! Këto dokumente që presin të votohen, janë të një rëndësie të veçantë për shkak se janë marrëveshje ekonomike për projekte investive dhe zhvillimore në Kosovë! Qytetarët e Kosovës kanë nevojë urgjente për mbështetje institucionale, ndërsa Qeverisë së Kosovës duhet t’i lejohet të vazhdoj me implementimin e masave në kuadër të pakos për Rimëkëmbje ekonomike! Andaj, ftoj deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të paktën kur kemi të bëjmë me projekte zhvillimore dhe fonde mbështetëse për infrastrukturë, të marrim përgjegjësitë kushtetuese që na takojnë! Në Kuvend duhet t’i hapet rrugë diskutimit për buxhetin e rishikuar, që t’i dalim në krah bizneseve të cilat rrezikojnë të shuhen, t’i dalim në krah punëtorëve që nuk i kanë marrë pagat, të mbrojmë prodhimin vendor dhe t’i mbështesim qytetarët në nevojë!”, ka shkruar Hoti.