Mosrespektimi i vullnetit të votuesve, Ali Ahmeti angazhon ekip ndërkombëtar në krye me autorin e marrëveshjes së Ohrit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka angazhuar ekip ndërkombëtar, përmes të cilit do të kërkojë zgjidhje për mosrespektimin e vullnetit të votuesve, pasi që “Fronti Evropian”, që drejtohet nga Ahmeti, ndonëse i ka fituar zgjedhjet në taborin shqiptar është lënë jashtë qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Lajmi e ka bërë me dije nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, i cili ka njoftuar se në krye të këtij ekipi do të jetë Paul William, autor i marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e cila i kishte dhënë fund luftës në mes të forcave ushtarako-policore maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) me komandat suprem, Ali Ahmetin – e cila kishte filluar për shkak të dhunës dhe represionit të vazhdueshëm që regjimi maqedonas ua bënte shqiptarëve.
“Ekipi është duke punuar në disa ide të propozuara për të pamundësuar mosrespektimin e vullnetit të votuesve në të ardhmen dhe shkeljen e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se esenca e Marrëveshjes së Ohrit është të parandalojë sundimin e shumicës (majorizimin) mbi komunitetin e dytë më të madh ne vend, duke promovuar kështu një demokraci të vërtetë multietnike dhe konsensuale”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.
E gjithë kjo lëvizje e Ahmetit ka ardhur pasi që lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së, tashmë edhe kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, la jashtë qeverisë fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në taborin shqiptar, pra “Frontin Evropian”.
Me këtë veprim, Mickoski ka shkelur parimin e fituesit me fituesin (te kampi shqiptar dhe ai maqedonas), duke zgjedhur koalicionin “VLEN”, të cilët në zgjedhje morën 4 deputetë më pak se “Fronti Evropian” (18-14).