Mostransparenca në prokurimin publik rrit dyshimet për korrupsion
Lëvizja FOL ka mbajtur të martën tryezën e radhës, në të cilën është diskutuar raporti “Transparenca në prokurimin publik në Kosovë”.
Panelistë në këtë tryezë ishin Osman Bytyqi nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), Agim Sheqiri nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP), Mursel Racaj nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) dhe zyrtarë të prokurimit nga ministritë si dhe përfaqësues të medieve dhe të organizatave joqeveritare.
Jeton Zulfaj, menaxher i programeve nga Lëvizja FOL, ka thënë se raporti është një përmbledhje e raportit vjetor të monitorimit të prokurimit publik në tri ministritë: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Gjithashtu, ky raport përmban një freskim të analizës ligjore nga viti 2016 duke sjellë rastin e Estonisë dhe analizën e rëndësisë së hapjes së planifikimit të prokurimit publik në Kosovë”, ka thënë Zulfaj, duke shtuar se Ligji për shoqëritë tregtare ende nuk është ndryshuar.
“Është me rëndësi që ky ligj të ndryshohet në atë kuptim që të ofrojë shumë informata se kush janë ata persona që përfitojnë prapa këtyre bizneseve. Është evidente që persona të caktuar mund të jenë të lidhur me ata që përfitojnë nga tenderët publikë. Gjithashtu, zyrtarët e prokurimit janë të cenueshëm ndaj korrupsionit dhe duhet edhe ata t’i nënshtrohen deklarimit të pasurisë”, ka thënë Zulfaj.
Sipas tij, nga gjetjet e monitorimit të FOL-it del se ka mospërputhje të publikimeve të të dhënave në mes uebfaqeve të KRPP-së dhe platformës E-Prokurimi, tek njoftime për kontratë, njoftime për dhënie të kontratës dhe njoftimeve për nënshkrim të kontratës.
Osman Bytyqi nga Komisioni i Rregullativ i Prokurimit Publik tha se pajtohet me shumë nga të gjeturat e FOL-it. “Ligji nuk ka hyrë në agjendë legjislative për këtë vit, mirëpo na kanë premtuar se do të hyjë në agjendë vitin e ardhshëm dhe ne jemi pjesë e grupit punues dhe besoj seë kontratat do të bëhen shumë shpejt publike”, është shprehur Bytyqi.
Ndërkaq Agim Sheqiri nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka thënë se baza aktuale ligjore është shumë e mirë, mirëpo duhet fokusuar tek qëndrueshmëria e projekteve.
“Ne gjatë këtij viti duhet të përqendrohemi nga prokurimet e qëndrueshme. Pra, kur shtrojmë një rrugë të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë. Ne jemi dëshmitarë se ndonjëherë punët nuk po kryhen mirë. Blejmë makineri, por nuk janë të qëndrueshme. Dalin ministrat inaugurojnë projekte, por ato nuk përfundojnë sepse ka mungesa në sistem”, ka thënë Sheqiri, duke shtuar se ka raste që një pronar qëndron prapa 2-3 kompanive të tjera.
Kurse Mursel Racaj nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (APQ) ka thënë se kjo agjenci ka filluar ngritjen e prokurimeve qendrore, mirëpo rritja e kësaj liste po del të jetë shumë sfiduese shkaku i mungesës së zyrtarëve të prokurimit në AQP.
“Përveç kësaj, problem po del të jetë edhe monitorimi dhe zbatimi i kontratave në praktikë. Përgjegjësia më së shumti u bie zyrtarëve përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e kontratave. Andaj, ju inkurajoj të bëni më shumë në zbatimin dhe monitorimin e kontratave”, ka deklaruar Racaj.
/Epoka e re/