Mot i ndryshueshëm në pesë ditët e ardhshme në Kosovë
Mot kryesisht i ndryshueshëm do të mbretërojë në Kosovë gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme, bën të ditur IHMK-ja përmes një komunikate për media.
Dita e hënë paraqitet me mot relativisht të ngrohtë, pas mëngjesit me mjegull, gjatë ditës pritet të ketë intervale me diell dhe rritje të dukshme të temperaturave.
Të martën mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu dhe bore, derisa në viset malore do të ketë vetëm reshje bore. Të mërkurën dhe të enjten nuk parashihet të ketë reshje frontale, përpos ndonjë rige të izoluar.
Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet -2 deri në 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditë parashihen të lëvizin ndërmjet 3-10 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe verilindja me shpejtësi 1-10 m/s.
Kushtet biometeorlogjike nuk do të jenë të favorshme për shtresën e popullatës që kanë probleme me frymëmarrje dhe sëmundje tjera kronike. Ndërsa sa i përket cilësisë së ajrit, do të ketë periudha me ndotje dhe me vlera të shëndetshme, varësisht prej fazave të aktiviteteve të elementeve dhe dukurive meteorologjike.