Moti i keq përfshin Shqipërinë, përmbyset borëpastruesja në Rrugën e Kombit
Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura bore në zonat malore si dhe reshje shiu e shtrëngatash në zonat e ulëta.
Qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të dendura bore duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Si pasojë, aksi rrugor në Qafë Murrizë është bllokuar, ndërsa borëpastrueset po punojnë për hapjen e aksit dhe lëvizja e mjeteve në drejtim të Tiranës do të kryhet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Shkopet.
Aksi rrugor Peshkopi – Maqellarë – Bulqizë i kalueshëm me zinxhirë. Peshkopi-Kala e Dodës – Kukës lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë.
Në urën e Milotit për shkak të erës së fortë është rrezuar një kamion. Ndërkohë është krijuar edhe trafik i rënduar.
Moti i keq me reshje dëbore ka përfshirë Bashkinë Mirditë, trashësia e së cilës arrin nga 5 deri në 25 cm në fshatrat Fan, Selite dhe Orosh. Rrugët rurale janë të bllokuara dhe ka ndërprerje të energjisë elektrike. Prezenca e dëborës ka krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në rrugën e kombit, përkatësisht segmenti Fan-Tuneli i Kalimashit.
Po ashtu edhe territori i Kukësit gjatë gjithë natës dhe vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore, ku lartësia e borës shkon deri në 15-30 cm. Në qarkun e Kukësit, rrugët janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Po ashtu raportohet se disa zona janë pa energji elektrike.
Kurse një borëpastruese u përmbys në Rrugën e Kombit, për fat pa të lënduar.