Motive lirike të mbytura në pellgje gjaku

17 maj 2020 | 09:08

Shefqet DIBRANI

Lulëzim Etemaj & Isuf Sherifi, “DRITË MBI PLAGË”, (sprovë për antologji), poezi, botoi Qendra “GJENOCIDI NË KOSOVË PLAGË E HAPUR”, Prishtinë 2020.

Fragment nga një shkrim më i gjatë…

Poetesha, Dije Demiri Frangu, merret me një plagë të rëndë, një plagë të pahapur sa duhet e si duhet, një plagë që rëndon sa vet jeta, sa vet dhembja e një të dhunuare e cila rrëfen se “në trupin tim kam plot gropa të thella të zeza”, ajo edhe pse vazhdimisht luftonte injorancën, mentalitetin patriarkal, duhet të ruhej; “Duke provuar t’mos i zgjoj kujtimet/ Se ende jam grua unë”, poezia “E ENDE JAM GRUA“ ose “monologu i një të dhunuare”, f.62. Në poezinë “SYTË E VRARË TË DUBRAVËS NË MAJDANEK“, që mban datën, 23 maj 1999, ajo sjell dramën emocionale të refugjates duke shpërfaqur kataklizmin e asaj dhembjeje, atij gjenocidi shfarosës që kishte rënë si murtaja e zezë mbi Kosovën. Kampi Majdanek – Lublin në Poloni, është një frymëmarrje tjetër në këto poezi, një sfond përjetimesh plot gjenocid, përmes së cilës Dija, bënë një krahasim të qëlluar në mes holokaustit hebraik në Luftën e Dytë Botërore dhe refugjatëve shqiptarë në Luftën e Kosovës ‘98/’99.

KËPUCËT E MARIA BIELIEKËS
(Kampi Mjadanek-Lublin, 31. 05. 1999)

Në duar shtrëngoja këpucët e Zonjës Maria Bieliekës,
pluhurin nacist duke ua fshirë
Mendoja, diku maleve të Kosovës
Jonës tamam do i binin,
Ecja ajrit si somnabul
Me këpucët e Maria Bieliekës mbathur
Për t’u kthyer në Kosovë
Dije Demiri – Frangu, f.64.

Dorën në zemër, nuk e kam paramenduar kaq të çmendur poezinë e Dije Frangut, sepse atë e njihja lirike, por s’ka faj poetesha kur me sytë e saj ka parë “MENDTË SI I DILNIN”, një nëne në Bllacë, në të cilën ajo shprehet: “Unë ia pashë mendtë si i dilnin/ Unë e pashë si për çast i humbën sytë/ Iu zbrazen nga bukuria/ Sa të lumtur jeni ju që nuk e keni parë/ Mendtë si fluturojnë si humbin/ Zoti e bekoftë atë NËNË!”, poezia “UNË IA PASHË MENDTË SI I DILNIN”, me përkushtimin “Një nëne në Bllacë, prill 1999”, f.65. Veçmas këto vargjet e fundit që i cituam, shprehin një tragjizëm unikat, i papërsëritshëm, një poezi shumë e arrirë në planin estetik dhe tematik, por edhe kështu si është, edhe kështu si është kompozuar, ka rrezik që edhe lexuesi i vëmendshëm, të pësoj si ajo Nëna në Bllacë!… Zot ruana!…

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, lidhur me rastin tragjik të…