Motivet politike të Serbisë penguan karateistët e Kosovës për Evropian
Federata e Karatesë së Kosovës në një konferencë për media, ka sqaruar se ka respektuar të gjitha procedurat për shkuarjen në Novi Sad për të marrë pjesë në Evropianin e karatesë.
Kryetari i FKK-së, Ismet Krasniqi, ka thënë Federata serbe dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, kanë kërkuar që për 48 orë të kenë emrat e të gjithë personave që do të shkonin në Novi Sad, derisa këtë procedurë e kishin kryer tre ditë më herët.
“Arsyeja [e ndaljes] ka qenë banale sepse letrën që e kanë dërguar federata dhe MPB-ja kanë kërkuar t’i dërgojmë të gjitha emrat. Kërkesa ka qenë që për 48 orë më herët, por ne i kemi dërguar tre ditë më herët. Polici i kishte letrat tona në dorë, të cilat i dërguam më 3 maj”, ka thënë Krasniqi “Ata na thanë na vjen keq, por urdhri është që të ktheheni mbrapa. Edhe Federata ndërkombëtare është e habitur me këtë rast”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se karateistët kanë humbur shumë pasi Kampionati Evropian ishte i vlefshëm për normat olimpike për Lojërat Olimpike të vitit 2020.
“Kemi humbur shumë sepse është kampionat evropian dhe është i vlefshëm për çdo sportist. Pikët nga ky kampionat kanë qenë shumë të mëdha për normat olimpike për Lojërat Olimpike që do të mbahen në vitin 2020”, ka theksuar Krasniqi, raporton “Koha.net”.
Një veprim të tillë të Serbisë, FFK-ja e kishte parashikuar një vit më parë dhe kishte informuar Federatën evropiane dhe atë botërore, por Kosova nuk kishte marrë përgjigje nga asnjëra prej tyre.
“Para një viti i kemi shkruar federatës evropiane se kjo mund të ndodhë. Federata nuk na ka shkruar asnjë letër. Nëse u pengon flamuri i Kosovës, atëherë të gjitha shtetet të jenë të barabarta, por jo të anashkalohet vetëm Kosova, sepse ne jemi anëtarë të rregullt të federatës evropiane dhe asaj botërore”, ka thënë Krasniqi.
“Më 23 gusht të vitit 2017 u jemi drejtuar Federatave dhe kemi kërkuar që të kenë kujdes shkaku i marrëdhënieve tona me Serbisë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Në mars pasi Federata e hendbollit pati problem ne përsëri u kemi shkruar federatave, por përsëri nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë veç të tjerash ai.