Motot e partive politike
Zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka filluar të enjten në Kosovë.
Pavarësisht situatës me pandeminë, subjektet politike i kanë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Përveç prezantimit të kandidatëve për kryetar të komunave dhe të kandidatëve për asamble komunale, ato kanë zgjedhur tashmë edhe motot me të cilat do të garojnë në këto zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e 17 tetorit në fletëvotim do ta ketë numrin 144, ka zgjedhur moto sloganin “Numri për komunën”. “Bashkë për Kosovën”, është moto e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila në këto zgjedhje do të garojë me numrin 177, shkruan “Epoka e re”.
Motoja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në fletëvotim do ta ketë numrin 160, do të jetë “Për të gjithë”. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në këto zgjedhje do të garojë me numrin 121, moto do ta ketë sloganin “Aleancë me qytetarin”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ditë më parë ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve.
Më 17 tetor të drejtë vote do të kenë rreth 1 milion e 885 mijë qytetarë, ndërsa 24 mijë votues do të jenë të rinj për dallim nga zgjedhjet e fundit të parakohshme.
Gjithashtu, në listën zyrtare të votuesve janë përfshirë edhe 90 mijë votues që në zgjedhjet e fundit votuan jashtë vendit. Për shkak të situatës me pandeminë, disa nga partitë politike janë shprehur për shkurtimin e periudhës së fushatës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ditë më parë u kishte dërguar një letër kryetarëve të partive parlamentare ku, për shkak të situatës me pandeminë, kishte propozuar që fushata të reduktohet në 10 ditë, ndërkaq dy ditë më parë ka deklaruar se fushata e LDK-së do të jetë vetëm pesë ditë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kishte thënë se shkurtimi i fushatës zgjedhore duhet të trajtohet dhe për këtë të merret vendim. Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë se fushata zgjedhore duhet të shkurtohet edhe më shumë, vetëm në pesë ditë.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje në parim është shprehur për shkurtimin e fushatës, por nuk ka dhënë ndonjë qëndrim.
Fushata për zgjedhjet e 17 tetorit do të jetë 30 ditë ashtu siç parasheh Ligji për Zgjedhje.
Ditë më parë IKShPK-ja i kishte rekomanduar presidentes Vjosa Osmani shtyrjen e këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se grumbullimi i njerëzve do të ndikojë në shpërndarjen e koronavirusit. Mirëpo pozita dhe opozita në takim me presidenten nuk kishin arritur një konsensus për këtë çështje.
Në atë takim Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që zgjedhjet e 17 tetorit të shtyhen, kurse opozita ka kundërshtuar qëndrimin e partisë më të madhe në vend. Edhe rrjeti i organizatave joqeveritare që promovon zgjedhje të lira dhe të drejta përmes monitorimit të procesit zgjedhor, Demokracia në Veprim, ka kërkuar që zgjedhjet lokale të mbahen, duke respektuar masat kundër Covidit.
(Muhamet Koci / Epoka e re)