Motra e Edita Tahirit nderohet nga Komuna e Prizrenit për kontributin e dhënë në demonstratat e ‘68-s
Shyhrete Tahiri – Besimi, njëra nga organizatoret kryesore të demonstratave të studentëve të 1968-s në Prizren, në 50-vjetorin e shënimit të kësaj lëvizje studentore që kontribuoi për liri dhe pavarësi, është nderuar me mirënjohje nga Komuna e Prizrenit.
Komuna ka ndarë mirënjohje edhe për organizatorët në krye me Meriman Brahen, Pashk Lacin e shumë të tjerë.
Kjo demonstratë historike e studentëve nisi në Prizren më 6 tetor 1968 për të vazhduar anë e mbanë Kosovës.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se familja e saj gjithherë ka vazhduar rrugën patriotike të babait të saj, Veli Asllani – Tahiri.
“Motra ime Shyhrete Tahiri – Besimi, unë personalisht, motra ime Myfidja dhe vëllezërit e vazhduam rrugën patriotike të babait tim, Veli Asllani-Tahiri, i cili ishte në burgjet e Serbisë në kohën e Rankoviqit për shkak të veprimtarisë ilegale për bashkimin kombëtar”, ka shkruar kryetarja e Alternatives Demokratike të Kosovës (ADK), Edita Tahiri.
/Epoka e re/