Motra e Ganimete Musliut thotë se deputetja e kaloi me sukses operacionin
Motra e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, Fatmire Musliu ka njoftuar se ajo e ka kaluar me sukses operimin.
Fatmire Musliu nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka falënderuar mjekët në Kosovë dhe në Gjermani, ndërsa ka thënë se për shkak të natyrës delikate të ndërhyrjes, deputetja Musliu ka ende nevojë për qetësi dhe përkujdesje.
“Falë Zotit, juve dhe mjekëve si në Kosovë po ashtu edhe në Gjermani, Ganimete Musliu e kaloi operacionin me sukses, por për shkak të natyrës delikate të ndërhyrjes ka ende nevojë për qetësi dhe përkujdesje. Shpresojmë shumë në mirëkuptimin tuaj dhe nga zemra ju urojmë shëndet e gjithë të mirat. Mirupafshim së shpejti në Kosovë”, ka shkruar motra e deputetes Musliu.
Ditë më parë deputetja Ganimete Musliu tregoi se është nisur për në Gjermani për një trajtim mjekësor, për shkak të disa problemeve me zemër.