Motra e Ukshin Hotit: Zbardhja e fatit të tij duhet të jetë obligim prioritar i Qeverisë dhe i ndërkombëtarëve
“Deri më tani, përpos fjalëve poshtë e përpjetë, nuk ka diçka serioze që të merret me çështjen e tij dhe të zbardhet fati i tij. Unë mendoj që këtë obligim prioritar duhet ta ketë Qeveria dhe faktori ndërkombëtar, kur e dimë se me kë kemi të bëjmë ne, me palën serbe, e cila ka bërë tërë këtë gjenocid në popull atëherë pa presion nuk besoj që do të zgjidhet kjo çështje”.
Kështu është shprehur në 25-vjetorin e zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti, motra e tij, Mirvete Hoti – Kasumi, e cila ka thënë se për të kjo është shumë e vështirë gjersa ka treguar se e kujton si atdhetar të mirë dhe njeri të ditur.
“E kujtoj si burrë të fortë, atdhetar të mirë dhe njëri të ditur, i çeliktë”, ka thënë motra e Ukshin Hotit.
E pyetur se si ndihet kur vepra e tij nderohet nga të gjithë, ajo u përgjigj duke thënë se ndihet mirë kur merren me çështjen e të vëllait, por nëse flasim për kontributin e tyre përpos fjalëve, ajo është shprehur e mërzitur. “Mund t’i falënderoj publikisht ata të cilët merren më këtë çështje”, është shprehur ajo në RTV Dukagjini.
Ajo ka treguar se hera e fundit që u pa me vëllanë e saj, Ukshin Hoti, ishte më 12 shkurt 1999 gjatë vizitës në burgun e Mitrovicës, derisa ka theksuar se ato vizita ishin të shkurtra dhe detyroheshin të komunikonin në gjuhën serbe, gjë që këtë veprimtari Ukshin Hoti nuk kishte pranuar ta bënte asnjëherë.
Kujtojmë që sot djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti, e ka publikuar një shkrim të babait të tij.
“Të lutem shumë, përqafoi fëmitë e mi për mua, pastaj edhe të tutë, të vëllezërve dhe të motrave: edhe prindët. Përshëndeti të tjerët. U do vëllai: Ukshini”, thuhet në letrën e shkruar nga Ukshin Hoti.
Më 16 maj 1999, në rrethana ende të pandriçuara, është zhdukur Ukshin Hoti.
Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti, u lind më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit.
Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të Amerikës, ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit.
Për herë të fundit ishte arrestuar më 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me pesë vjet burgim.