Motrat e Shotës, vizitë te varri i saj në Fushë-Krujë (Foto)

05 korrik 2019 | 12:01

Dje ishte 92-vjetori i vdekjes së heroinës Shotë Galica. Për kujtimin dhe nderin e saj, një grup i femrave veprimtare ishin për vizitë te varri në Fushë-Krujë, ndër to edhe Shkurta Dajaku, anëtare e Këshillit Drejtues të PDK-së.

Në një postim në “Facebook”, Dajaku ka publikuar disa fotografi të bukura, ku shihet edhe deputetja Ganimete Musliu, me përshkrimin:

“Vizitë te varri i Shote Galicës në 92-vjetorin e vdekjes. Shotë Galica është shembulli më i mirë i thënies se vitet janë vetëm numra, e numrat statistikë që nuk kanë vlerë aq sa të bëmat, gjurmët e të cilave bëhen motiv që përcillet me gjenerata të tëra! Me vetëm 32 vjet jetë, angazhimi, atdhedashuria dhe trimëria e Shotë Galicës, edhe pas 92 viteve të vdekjes, mbeten shembull dhe frymëzim i lirisë!”

Shotë Galica, me emrin e vërtetë Qerime, ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse të Kosovës për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare. Duke shpërfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të Kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë. Gjatë gjithë kohës ishte përkrah bashkëshortit Azem Galica, derisa ra në një çarje rrethimi. Shota, tre vjet më vonë, më 1927,  ndërroi jetë në Fushë-Krujë, në mjerim të plotë dhe e shpërfillur plotësisht nga regjimi i kohës.

Janë motrat e Shotë Galicës nga mbarë Kosova që nderojnë kujtimin e saj dhe i freskojnë varrin me lule, aq më shumë që tani janë të lira ta vizitojnë kur të duan. (Epoka e re)

https://www.facebook.com/shkurtadajaku

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ardhmja e Mauro Icardit është shndërruar në një telenovelë…