Motta: E merituam humbjen ndaj Stuttgartit
Mrekullia si në Leipzig nuk u arriti këtë herë. Pavarësisht paraqitjes monumentale të portierit Perin, e kompletuar me një penallti të pritur, Juventusi u mund 1-0 në shtëpi nga Stuttgarti, në xhiron e tretë të Ligës së Kampionëve. Ishte një ndeshje e dominuar nga gjermanët.
“Skuadra gjermane me siguri e meritoi fitoren, ajo bëri më mirë se ne që në fillim. Do të duhet ta tretim humbjen shpejt, për t’u kthyer sërish fuqishëm kundër Interit. Ne nuk ishim në gjendje të merrnim kontrollin e lojës, e patëm topin në këmbët tona vetëm disa herë. Stuttgarti është sigurisht një ekip i vështirë për t’u përballur, luajti më mirë se ne dhe mori fitore të merituar”, ka thënë Motta.
Bardhezinjtë ishin shpesh në mëshirën e lojës së gjermanëve: “Ne vuajtëm nga ritmi dhe loja e tyre, luftuam për të imponuar idetë tona në fushë. Ka shumë gjëra për t’i analizuar nëse flasim për dallimin mes futbollit italian dhe atij ndërkombëtar. Ne vuajtëm, por duhej të bënim më mirë”.
Juventus vazhdon të vuajë në lojën sulmuese, pavarësisht se konfirmon qëndrueshmërinë e vet në mbrojtje: “Gjithçka që shohim sot është e ndarë me klubin, madje edhe fakti që kemi vetëm dy sulmues të rregullt.
Në sulm duhet të bëjmë më mirë, por edhe në fazën mbrojtëse sonte. Nuk duhej t’ia linim kundërshtarit kontrollin e lojës. Përgjegjësia e madhe është e imja, duhet të përmirësohemi për sfidat e ardhshme”.