Motta: Fitore e shkëlqyer, luajtëm me shumë cilësi
“Punojmë çdo ditë për të fituar, në çdo stërvitje. Duhet shumë punë për një ndeshje si e sotmja. Kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer, ndeshje të tilla fitohen me shumë punë të përditshme nga këta djem, që i falënderoj. Po përmirësohen sepse punojnë me shumë përkushtim duke kaluar shumë vështirësi që kemi pasur. Fitorja si kjo është shpërblimi i duhur.”
Këto ishin fjalët e para të Thiago Motta-s, i cili u shfaq i lumtur pas fitores së bukur të Juventusit kundër Milanit, e cila rikthen ambiciet e Champions League për bardhezinjtë:
“Në ndeshjen e fundit kundër Atalantës kemi bërë disa gabime teknike, që i japin besim kundërshtarit. Sot luajtëm me cilësi të madhe. Kjo psikologjikisht ndihmon, sepse kundërshtarët kuptojnë që kanë përballë një skuadër që luan mirë futboll”.
“Deshëm të ishim agresivë, të mos i jepnim Milanit kohë loje dhe të kufizonim qetësinë e portierit të tyre që di të mendojë dhe të gjejë lojtarin e lirë,” shtoi trajneri bardhezi për mikrofonat e Dazn.
“Djemtë e bënë mirë me shumë energji dhe jam i lumtur sepse në fund shkoi mirë”.
MVP i ndeshjes ishte Samuel Mbangula, i cili shënoi golin e parë dhe u lavdërua nga trajneri i tij: “Përtej golit, është një djalë që po ndihmon shumë në të gjitha situatat e lojës, është gjithmonë i disponueshëm, nuk ka qenë kurrë jashtë skuadrës. Kur ka marrë pjesë, ka kontribuar shumë për skuadrën”.