Mourinho dëshiron te rikthehet në ‘Old Trafford’, Unitedi del kundër
Jose Mourinho i ka shprehur klubit të Manchester Unitedit dëshirën për t’i menaxhuar sërish “djajtë e kuq”. Lajmi është konfirmuar nga “Manchester Evening Neës”, që ka marrë edhe mendimin e klubit, që duket se nuk dëshiron ta riemërojë portugezin në stolin e “Old Trafford”, duke i besuar ende Erik ten Hag.
Mësohet se trajneri portugez 61-vjeçar u ka thënë të besuarve se është gati të rikthehet në Manchester për ta menaxhuar Unitedin për herë të dytë në karrierën e tij, pasi u shkarkua nga klubi në dhjetor 2018.
Interesimi i Mourinhos vjen pak orë pasi “djajtë e kuq” pësuan një humbje poshtëruese 4-0 ndaj Crystal Palaces. Mourinho u bë trajner i Manchester Unitedit në maj 2016, klub me të cilin fitoi Europa League dhe Kupën e Ligës në dy vjet e gjysmë në detyrë. Aktualisht i papunë, pas shkarkimit nga Roma në janar, thuhet se Jose Mourinho është mik i bashkëpronarit të Unitedit, Sir Jim Ratcliffe. Gjithsesi, klubi duket se nuk ka dëshirë ta rikthejë.