Mourinho: Djemtë bënë maksimumin për të fituar
AS Roma arriti një fitore magjikë në “Stadio Olimpico”, me rezultatin minimal 1 me 0, ndaj “aspirinave” të Bayer Leverkusen në sfidën e parë të gjysmëfinaleve, të Ligës së Evropës.
Trajneri Jose Mourinho është shprehur shumë i lumtur nga performanca e skuadrës së tij, në fushën e lojës.
“Është e gjitha meritë e djemve. Ata kanë një mentalitet, një dëshirë, një lidhje me tifozët, një ndjenjë përgjegjësie për të dhënë gjithçka dhe për të lumturuar tifozët. Sot nuk ishte një lojë e lehtë, intelektualisht ishte një ndeshje shumë e vështirë. Është e vështirë të luash kundër Leverkusenit, të qëndrosh i fokusuar për 90 minuta, të luash për të fituar dhe të kesh parasysh se humbja e topit mund të jetë shkatërruese. Djemtë bënë maksimumin për të fituar”, ka thënë Mourinho. Më tej, strategu portugez e lavdëroi edhe autorin e golit, Eduardo Bove.
“Prindërit e Edos janë për t’u lavdëruar, jo unë. Ai është jashtëzakonisht i sjellshëm, i zgjuar, profesionist, sillet sikur të jetë 30 vjeç. Sezonin e kaluar ai hynte në fushë për pesë minuta në fund, këtë vit ka arritur në 30 minuta, madje filloi disa ndeshje në fillim. Është detyra ime të ndihmoj lojtarët të rriten, por e di gjithashtu që për të qenë një person kaq i mirë, ai duhet të ketë një familje të mrekullueshme”, ka shtuar Mourinho.