Mourinho: E ardhmja ime nuk do të jetë në Itali
Trajneri Jose Mourinho vazhdon të jetë i paangazhuar që prej largimit nga Manchester United. Në një intervistë për emisionin “Tiki Taka” në Itali, “Special One” ka kujtuar kohët që ka kaluar te Interi por në të njëjtën kohë ka zbuluar se ardhmja e tij nuk do të jetë në Itali.
“Nuk besoj se e ardhmja ime do të jetë në Itali, është një parandjenjë kjo, edhe pse këtu identifikohem në shumë gjëra dhe nuk më duhet të mësoj gjuhën apo kulturën e këtij vendi”, ka thënë Mourinho.
“Më kujtohen të gjitha momentet kyçe për fitimin e kampionatit, pastaj ajo përmbysje fantastike në Kiev që na shtroi rrugën drejt triumfit në Ligën e Kampionëve. Nuk mund të harroj as 3 finalet brenda një jave, dukej si një film. Moratti për mua ishte më shumë se një president, ishte një mik. Nëse mendoj për Morattin dhe Interin, kujtoj një familje. Pse nuk u ktheva më në Milano pas triumfit në Ligën e Kampionëve ndaj Bayernit në Madrid? Nëse do të isha kthyer në ‘San Siro’ me trofeun e Ligës së Kampionëve në duar nuk do të isha larguar më”, ka deklaruar Mourinho.