Mourinho i thotë ‘jo’ Brazilit
Federata Braziliane e Futbollit është në kërkim të një selektori pasi ka dështuar ta bind Carlo Ancelottin për ta marrë në dorë kombëtaren braziliane.
Sipas mediave jug-amerikane, brazilianët tash ia kanë mësyrë trajnerit të Romës, Jose Mourinho. Por, portugezi nuk duket shumë i interesuar për ta marrë në dorë “Seleçaon”. Ai është i fokusuar totalisht tek ekipi që e drejton aktualisht.
“Brazili nuk më ka thirrur për t’u bërë trajner i tij i ri. I kam thënë menaxherit tim: mos fol me askënd derisa të jem trajner i Romës. Unë i besoj 100 për qind pronarëve të Romës. Gjithmonë i kam informuar ata, përfshirë këtu edhe kur Portugalia më thirri… Edhe kur klubet nga Arabia Saudite më thirrën verën e kaluar”, ka deklaruar fillimisht “Special One”.
Ai është i vendosur të arrijë suksese të reja me Romën dhe të vazhdojë të punojë në Serie A.