Mourinho tregon nëse do të bëhet trajner i klubit portugez
Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, e ka hedhur poshtë mundësinë që ai të kthehet si trajner i klubit portugez, Benfica, duke thënë se nuk ka ofertë nga ta për ta respektuar këtë klub.
E përditshmja portugeze, “A Bola”, kishte ka raportuar të enjten se Jose Mourinho do të takohet gjatë kësaj jave me presidentin e Benficës, Luis Filipe Vieiera, për t’i diskutuar kushtet e ish-trajnerit të Manchester Unitedit për ta pranuar ofertën nga Benfica.
“Nuk më pëlqen t’u jap medieve material për t’i mbushur lajmet, mirëpo nuk kam asnjë synim që të kthehem të punoj në Portugali”.
“Mënyra më e mirë për ta respektuar një klub të mrekullueshëm si Benfica dhe një president të mrekullueshëm është të them se unë nuk kam marr asnjë ofertë nga ta”, ka thënë Mourinho në një intervistë për televizionin portugez, “Cerrio da Manha TV”.
Javën e kaluar, Benfica e ka shkarkuar trajnerin Rui Vitoria, pas tri sezoneve e gjysmë me këtë klub. Gjatë kësaj kohe, ai i kishte fituar dy tituj të ligës, një titull të kupës dhe dy tituj të Superkupës së Portugalisë.
Përkundër këtyre arritjeve, klubi ka vendosur që t’ia përfundonte atij kontratën për shkak të disa rezultateve të këqija gjatë këtij sezoni, që kanë bërë që Benfica të mbetet në pozitën e tretë, shtatë pikë larg liderit, Portos.
Zëvendësuesi i tij i mundshëm, Mourinho është shkarkuar nga pozita e tij në Manchester United, pasi e kishte filluar sezonin në mënyrën më të keqe në 26 vitet e fundit të klubit anglez. Për më tepër, ai kishte pasur probleme edhe me lojtarët e tij, veçanërisht me yllin e skuadrës, Paul Pogbën.
Transferimi në Benfica do të bënte që Mourinho të kthehet në vendlindjen e tij, ku e kishte filluar karrierën si trajner në vitin 1990. Ai kishte filluar karrierën e tij si ndihmëstrajner në klube të shumta portugeze, para se ta merrte këtë rol në Barcelonë, nga vitit 1996 në vitin 1999.
Për herë të parë, Mourinho e mori pozitën e trajnerit në Porto në vitin 2002 dhe aty bëri histori qysh në moshën 41-vjeçari, kur arriti ta fitojë në klubin portugez titullin e Ligës së Kampionëve në vitin 2004. /Gazeta Express/