Mourinho: Unitedi nuk është as për vendin e gjashtë
Jose Mourinho vazhdon të jetë pa një ekip, por mbetet protagonist në studiot televizive. Opinioni i tij në “Sky Sport” pas humbjes 2-0 të Manchesterit ndaj West Hamit ka ngjallur interesimin e tifozëve të “Djajve të Kuq”. “The Special One” e pranoi se shkarkimi i tij nga detyra e trajnerit të Unitedit nuk ishte befasi.
“U shkarkova dhe me siguri e meritoja të shkarkohesha nga puna sepse isha përgjegjës si trajner i skuadrës. Realiteti i trishtuar është se tani ata janë më keq se më parë. Kjo skuadër, për mua, është më e dobët se ajo e sezonit të kaluar”, ka thënë Mourinho.
Manchester Unitedi ka grumbulluar 10 pikë më pak se Liverpooli vetëm pas 6 javëve të para, një diferencë e ndjeshme që nuk e bën të lumtur trajnerin luzitan. “Për mua kjo është e trishtueshme. Ndoshta njerëzit mendojnë se unë jam duke e shijuar situatën, por nuk po e shijoj fare”, ka shtuar ai. E ardhmja, sipas Mourinhos, nuk do të ofrojë optimizëm: “Ata me të vërtetë do të jenë në telashe jo vetëm sepse do të mbeten jashtë katër vendeve të para, por potencialisht nuk do të mund të renditen as në 6-shten më të mirë”.