Mozaikët e Durrësit, objektet arkeologjike më të vizituara
Qyteti antik i Durrësit njihet ndryshe edhe si qyteti i mozaikëve. Me vlera të rralla kulturore dhe historike, mozaikët do t’ia shtonin vlerat dhe të ardhurat nga turizmi qytetit bregdetar, po shumë prej tyre nuk janë të vizituar. Më i vizituari mbetet mozaiku mural që ndodhet pranë kapelës së Amfiteatrit Antik.
Prania e tij në një ndërtim pagan siç është amfiteatri tregon se objekti është përdorur gjatë mesjetës së hershme për qëllime kristiane.
Një tjetër mozaik i famshëm është dhe “Bukuroshja e Durrësit”, e cila ndodhet e ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Shumë mozaikë të tjerë të zbuluar para viteve ’90 nuk janë të vizituar.Kështu, mozaiku me hipokamp, mozaiku i Orfeut, ai i Meandrit, apo dhe mozaiku i Bazilikës së Arapajt ndodhen në pjesët e poshtme të godinave private të banimit, disa janë të mbuluar dhe ruhen nëntokë.
“Mozaiku i amfiteatrit në mënyrë të vazhdueshme trajtohet nga restauratorët tanë dhe specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ndërhymë një vit më parë te mozaiku i Meandrit duke e nxjerrë në pah dhe shpallur monument kulture. Edhe Mozaiku i Orfeut që ndodhet në ambientet e një banese private mirëmbahet në varësi të lëvizjeve të pronares së godinës që jeton në ShBA”, ka thënë Ledion Lako, drejtor i DRKK-së në Durrës.
Edhe në këto ditë të para të vitit të ri mozaiku i Bazilikës së Shën Mëhillit, një ndërtim i kohës së Perandorit Justiniani I, në Arapaj, vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit, edhe pse i konservuar, të josh ta vizitosh. Po për të mbërritur te Bazilika që i përket shek. VI të e. s. nuk është e lehtë. Rruga që të çon deri atje është e rrënuar, ndërsa mungojnë tabelat treguese.