MPB-ja del me njoftim për situatën e zjarreve në Prevallë
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), përkatësisht Agjencia për Menaxhimin Emergjent, ka njoftuar se njësitë e zjarrfikësve nga Prizreni, po ndihmohen nga ato të Gjakovës, Prishtinës e Ferizajt për fikjen e zjarrit në Prevallë.
Sipas njoftimit, nuk ka rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve.
Njoftimi i plotë i MPB-së:
Ministria e Punëve të Brendshme respektivisht Agjencia për Menaxhimin Emergjent, njofton të gjithë qytetarët se në situatën e krijuar nga zjarri në sipërfaqe të hapur në parkun nacional në Prevallë, aktualisht janë në operacione për fikjen e zjarrit nga toka përveç Njësisë së Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit nga Prizreni , edhe njësitë e zjarrfikjes dhe Shpëtimit nga Gjakova, Prishtina dhe Ferizaj.
Gjithashtu MPB/AME ju njofton se rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve në Prevallë nuk ka, deri sa përpjekjet për ta mbajtur nën kontroll dhe të lokalizuar zjarrin vazhdojnë nga kapacitetet e komunës së Prizrenit me Komunat në ndihmë.
Prezent në operacion në mbështetje janë edhe Policia e Kosovës, pjesëtarët nga parku nacional në Prevallë, Shërbimi Emergjent Mjekësorë nga Prizreni, etj.
Nga afër situata koordinohet nga zëvendësministri i MPB-së, z. Blerim Gashani, zëvendës drejtori i AME-së, z. Shefki Abdullahu me staf nga AME, në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën Operative Emergjente 112.