MPB-ja dhe UNHCR shënuan Ditën Botërore të Refugjatëve
Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me UNHCR-në të premten shënuan Ditën Botërore të Refugjatëve si dhe u bë përurimi i Qendrës së Azilit e sapo rinovuar në Vranidoll.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se Kosova si vend nga i cili para 23 vitesh kanë dalë afër 1 milion refugjatë, sot ka të hartuar një sërë dokumentesh ligjore me qëllim të trajtimit të refugjatëve në harmoni me standardet ndërkombëtare në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut e të drejtave të refugjatëve në veçanti.
“Si popull jemi përballur me të njëjtën situatë në vitet ‘98-’99, kur afër 1 milion shqiptarë dhunshëm u dëbuan nga shtëpitë tyre dhe u strehuan në vendet fqinje por edhe më larg. Ne njohim më mirë se kushdo tjetër ndjenjën e të qenit larg nga shtëpitë e tokat tona duke mos ditur se do të kthehemi ndonjëherë në to. Momentet e largimit nga vendi ynë janë menduar si të fundit sepse qëllimi ishte siguria dhe mirëqenia në vendet përreth”, ka thënë ministri Sveçla, duke u zotuar se bashkëpunimi do të vazhdojë ngushtë me të gjitha organizatat që angazhohen për mbrojtjen e refugjatëve në Kosovë e veçanërisht me UNHCR-në.