MPB-ja me mërgimtarët në Aeroportin e Prishtinës: “Festo me zemër, jo me armë”
Në Kuadër të fushatës “Festo me zemër, jo me armë”, të mërkurën është mbajtur aktiviteti i promovimit të fushatës me mërgimtarët që vinin përmes aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Me këtë rast, koordinatori për Armë të Vogla dhe të Lehta, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, së bashku me një ekip nga Policia e Kosovës dhe zyrtarë të MPB-së, bashkëbiseduan dhe shpërndanë mesazhet kryesore të fushatës për parandalimin e gjuajtjeve festive me mërgimtarët.
Zëvendësministri Gashani kërkoi nga mërgimtarët që këtë mesazh për parandalimin e të shtënave festive ta ndajnë dhe me familjarët e tyre në Kosovës, sidomos në ambiente festive ku marrin pjesë për t’i njoftuar qytetarët mbi pasojat që vijnë nga të shtënat gjatë gëzimeve familjare.
“Është e rëndësishme që në ahengjet tuaj të festoni pa të shtëna me armë. E shtëna me armë nuk është traditë, i përket të kaluarës, andaj ju ftojmë që të bashkëpunoni me Policinë e Kosovës, në raste kur jeni në ambiente ku ka prani, apo të shtëna me armë. Me të gjithë akterët institucional dhe të sigurisë po punojmë ngushtë që të parandalojmë të shtënat festive dhe të rrisim nivelin e sigurisë në vend”, ka theksuar ndër të tjera zëvendësministri Gashani.
Ndërsa mërgimtarët që vinin në Kosovë e mirëpriten nismën e MPB-së për këtë fushatë dhe premtuan që të njëjtat mesazhe t’i ndajnë edhe me familjarët dhe të afërmit e tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme, më 30 qershor filloi zyrtarisht fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’ me aktivitete në shkolla, takime me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet të sigurisë, institucione fetare dhe asamble Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë.
Aktivitete të tjera do të përcjellin fushatën gjatë ditëve dhe muajve në vijim, për të ngritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të rritur numrin e raportimeve për të shtënat festive.