MPB-ja: Ministri Mustafa nuk ishte në automjet gjatë aksidentit
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka reaguar në lidhje me raportimet në media për aksidentin ku është e përfshirë edhe një veturë e kësaj ministrie.
Fillimisht u raportua se është aksidentuar ministri Ekrem Mustafa, por MPB-ja ka njoftuar se ministri nuk ishte në automjet gjatë aksidentit.
“Ministria e Punëve të Brendshme ju njofton se sot rreth orës 09:00 në një aksident trafiku në lagjen Arbëria në Prishtinë, njëra nga dy veturat e përfshira në aksident është e MPB-së. Në këtë veturë kanë qenë katër zyrtarë të kabinetit të ministrit Mustafa. Ju njoftojmë që në veturën në fjalë nuk ka qenë ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Duke i falënderuar mediet për bashkëpunimin, kërkojmë nga to që në raste të tilla të merret edhe një konfirmim zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme”, është thënë në njoftimin për media të MPB-së.
/Epoka e re/