MPB-ja s’e komenton kërkesën e Vuçiçit për (ri)kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës

16 shtator 2024 | 20:04

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të hënën, ka thënë se “nuk i komenton deklaratat e asnjë personi/subjekti politik” referuar pyetjes së redaksisë në Prishtinë rreth rikthimit të policëve serbë që kanë dorëheqje në vitin 2022 pas presionit nga Serbia, duke kërkuar që pyetjet t’i adresohen Policisë së Kosovës.

Anëtarë të komunitetit serb në veri të vendit kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor 2022. Megjithatë, ndonëse vetë i detyroi serbët të braktisin punën në institucionet e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë thirrje së fundi që të dorëhequrit të kthehen në vendet e tyre të punës.

Presidenti i Serbisë, përveç kthimit të serbëve në Policinë e Kosovës, ka kërkuar edhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar se do t’i shqyrtojë kërkesat e serbëve, nëse do të ketë. KPK-ja ka shtuar se “nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga prokurorët serbë për kthimin e tyre në sistemin prokurorial”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nga ana tjetër, ka deklaruar në një përgjigje për REL-in se çështja e dorëheqjeve të gjyqtarëve nga radhët e komunitetit serb “do të shqyrtohet në momentin që KGJK-ja e vlerëson se është koha e duhur” dhe “sipas procedurës së përcaktuar për situata të tilla”.

Bashkimi Evropian (BE) e ka cilësuar “pozitive” thirrjen e presidentit të Serbisë për riintegrimin e serbëve në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në fund të vitit 2022. “Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiç për të vazhduar angazhimin në dialog”.

Ndryshe, përkundër se situata e përgjithshme në veriun e trazuar të banuar me serbë etnikë është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dega e LDK’së në Podujevë mbrëmë ka njoftuar se bashkëpunëtori…