MPB-ja shënon muajin botëror të sigurisë kibernetike
Nga dita e hënë në kuadër të muajit botëror të sigurisë kibernetike, Ministria e Punëve të Brendshme planifikon zhvillimin e disa aktiviteteve për përmirësimin e situatës së sigurisë kibernetike në vend.
Sipas një njoftimi të MPB-së, ngritja sigurisë është e domosdoshme në gjitha institucionet publike, duke vlerësuar rëndësinë që ka siguria kibernetike dhe sipas nevojave janë hartuar plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike.
“Në Kosovë, përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është zgjeruar me shpejtësi prej vitit 2000, ndërsa tanimë TIK-u luan rol të rëndësishëm në të gjitha aspektet e jetës sonë. Përdorimi i Internetit në Kosovë është 76.6 për qind, shkallë kjo shumë e ngjashme me mesataren e Bashkimit Evropian (BE), derisa edhe sjelljet e qytetarëve të Kosovës në Internet duket të jenë të ngjashme me trendet globale”, është thënë në njoftimin e MPB-së.
Në kuadër të aktiviteteve të paraparë për shënimin e këtij muaji, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me ICITAP do të trajnojë mbi 200 zyrtarë të ministrisë dhe agjencive të saj, të cilët kanë qasje në domainnin shtetëror për rëndësinë e Sigurisë Kibernetike.
Në kuadër të këtij muaji gjithashtu do të mbahen aktivitete dhe takime të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit për rëndësinë e Sigurisë Kibernetike.
Me inicim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept dokumentin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë, koncept -dokument që kontribuon në forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë e paraparë në strategjinë shtetërore për sigurinë kibernetike dhe planin e veprimit 2016 – 2019.
/Epoka e re/