MPB-ja: Vazhdon zbatimi i marrëveshjes për targa
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë është duke u zbatuar me sukses dhe vendosja e targave të përkohshme (stikersave) është duke u vazhduar me një dinamike të lartë.
“Sa i përket administrimit të stikersave, njoftojmë qytetarët se nga data 4 tetor deri më 6 tetor janë lëshuar gjithsej 6,365 stikersa prej të cilave 4,698 nga Pikat e Kalimit Kufitar dhe 1,667 nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve. Ndër komunat me më së shumti kërkesa për stikersa nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve bëjnë pjesë: Zveçani (338), Graçanica (329), Zubin Potoku (228), Leposaviqi (198), Gjilani (109), Shtërpce(88), Kamenica (53), Obiliqi (53), Novobërda (48), e të tjera”, ka njoftuar MPB-ja.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët gjithashtu se puna në pikat e kalimit kufitar dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve është duke vazhduar pa asnjë incident dhe marrëveshja po zbatohet në përpikëri.
Ministria e Punëve të Brendshme u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen me stikersa deri më 8 tetor në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve dhe stacionet më të afërta policore, në të kundërtën Policia e Kosovës do të gjobitë drejtuesit e automjeteve të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim.