MPBAP: Djegia e xhamisë, akt vandal e i papranueshëm
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka dënuar fuqishëm aktin vandal të dëmtimit dhe djegies së xhamisë në fshatin Vërboc të Drenasit.
“Ky akt padyshim kriminal synon të provokojë ndjeshmërinë e besimtarëve, e kjo është e dënueshme në çdo moment, jo vetëm në kohë delikate si kriza shëndetësore që po kalojmë. Dëmtimin e objekteve të kultit fetar, të cilitdo besimi, MPBAP-ja, e vlerëson gjithnjë si veprime dashakeqe, të cilat dëmtojnë rëndë tolerancën fetare dhe bashkëjetesën në vend. Me këtë rast, u.d. ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. XhelalSveçla ka kërkuar angazhim maksimal deri në gjetjen e personave përgjegjës që e kanë kryer këtë vepër, të cilët duhet të dalin para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të bëhet zbardhja sa më e shpejtë e këtij rasti”.
“Sveçla falënderon banorët e fshatit dhe përgjithësisht besimtarët e më gjerësisht qytetarët që janë treguar të përgjegjshëm dhe nuk kanë rënë pre e provokimeve që mund të jenë orkestruar prej qarqeve që kanë interesa në destabilizim e dobësim të shtetësisë së Kosovës”, theksohet në reagimin e MPBAP-së.
/Epoka e re/