MPJ i reagon Daçiqit lidhur me deklaratën për tërheqjen e njohjes nga Togo
Ministria e Jashtme e Kosovës (MPJ) ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq se Togo ka tërhequr njohjen për Republikën e Kosovës.
Kjo ministri ka theksuar se të gjitha notat diplomatike të treguara në Beograd janë shkruar nga një person i vetëm me të kaluar kriminale.
MPJ-ja ka deklaruar se Kosova është përballur në tre vitet e fundit më një fushatë të paprecedent diplomatike dhe propagandistike nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.
“Kosova në koordinim me vendet e Quint-it e ka kundërshtuar këtë fushatë dhe në koordinim të ngushtë me shtetet Quint-it ka ndërmarrë hapa ndërkombëtarisht. Serbia ka përdorur çdo mjet për të penguar Kosovën ndërkombëtarisht. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë se kanë përdorur ryshfete, afera korruptive, shitje të armëve dhe marrëveshje për heqjen e vizave dhe afera jo-moralshme (si rasti i Interpolit) për të kundërshtuar Kosovën”, është thënë në në reagimin e MPJ-së.
Sipas MPJ-së Serbia ka ftuar zyrtarë të huaj në Beograd në vizita pa marrë parasysh legjitimitetin e tyre dhe përmes ryshfeteve janë lëshuar “nota diplomatike” dhe dokumente të rreme që janë hedhur poshtë nga vendet përkatëse mandej.
“Si rasti i Liberisë (para TV liberian presidenti i Liberisë e demanton dhe lëshon komunikatë), Ganës, Guinea-Bissaut (akreditimi i ambasadorit të Kosovës), Burkina Fasos (dërgon dokument që demanton Beogradin), Republikës së Afrikës Qendrore (po zhvillohen hetime për aferë korruptive), Sao Tome and Principe (takimet e nivelit të lartë ku mohohet deklarata e Daçiqit dhe vendet e tjera si Papua New Guinea, Palau, Somalia, Komorët, Burundi”, është thënë në këtë reagim.
Më tutje, MPJ-ja ka përmendur se organizatat ndërkombëtare si Amnesty International kanë shprehur shqetësimin e tyre për shitjen e armëve të Serbisë në Afrikë.
“Në shumë vende kjo është përdorur si një mjet për të forcuar propagandën e saj në shtëpi për Ivica Daçiqin”, është thënë në reagimin e MPJ-së.
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) ka thënë se të gjitha notat diplomatike të treguara në Beograd të cilat janë hedhur poshtë nga qeveritë përmes kanaleve diplomatike ose publikisht janë shkruar nga një person i vetëm i cili është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës dhe i cili shërben tani si Këshilltar për Ministrin e Jashtëm Serb.
“Kosova ka bashkëpunim me partnerët e saj dhe ka treguar gatishmërinë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-së dhe kemi synuar të mos ndërmerren veprime që do të barazonin Kosovën me Serbinë. Kosova ka qëndruar e përkushtuar në parimin e politikës së jashtme për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, por për të arritur këtë duhet veprime konkrete edhe nga Beogradi, qe nuk ka qenë rasti. Kosova është e gatshme të veprojë si një fqinj konstruktiv, por Serbia po instalon një klimë që nuk krijon hapësirë për normalizimin e marrëdhënieve”, është thënë në fund të reagimit të MPJ-së.
/Epoka e re/