MPJ-ja kërkon nga Brukseli mos ta ndërlidh dialogun me heqjen e vizave
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka cilësuar si të gabuar përpjekjen e disa zyrtarëve të rinj në Bruksel për të lansuar idenë që liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit tonë të ndërlidhet me përfundimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo ide jo vetëm që është shkelje eklatante e së drejtës për lëvizje të lirë, por po ashtu është edhe ngatërrim i dy çështjeve, pra dy proceseve që nuk mundet dhe nuk duhet të ndërlidhen”.
“Dialogu si mjet i vetëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka për qëllim të ndërtoj bazamentin për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore”, është thënë në reagimin e MPJ-së.
Sipas MPJ-së, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë dhe proceset në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian duhet të ecin ndaras dhe pa kushtëzime.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duhet të mbahen peng të ideve ‘interesante’, tekeve dhe vullneteve të pamatura dhe imponuese, pavarësisht se nga kush vijnë si ide”.
“Dialogu duhet të ketë rrjedhën e vet dhe nuk duhet të has në obstruksion nga ide që kanë për qëllim ta ndryshojnë kontekstin e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara nga konflikti Republikë e Kosovës – Republikë e Serbisë, në një kontekst rajonal, apo në procese që Kosova ka karshi Brukselit zyrtarë”, është thënë në këtë reagim.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka theksuar se jo-konstruktiviteti i imponuar dhe superior do të mbingarkojë agjendat, sepse imponimet dhe devijimet kanë premisa të keqkuptimit dhe keqinterpretimit, dhe për më tepër vështirë se do të hasin në mirëkuptim për të ofruar zgjidhje të pranueshme.