MPJ-ja kërkon nga qytetarët e Kosovës që përkohësisht ta evitojnë qarkullimin përmes Serbisë
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) nëpërmjet një komunikatë për medie ka kërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës me vendbanim brenda apo jashtë vendit që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë.
Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre.
Për rrjedhojë MPJ-ja sugjeron evitim të përkohshëm të qarkullimit përmes Serbisë.
“Qytetarë të dashur, dëshirojmë të kemi vëmendjen tuaj, pasi që ky njoftim vjen si rezultat i arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e institucioneve të këtij vendi, gjithmonë në rrethana fiktive. Një numër i tyre madje edhe janë keqtrajtuar fizikisht dhe psiçikisht. Bazuar në këto zhvillime Ministria e Punëve të Jashtme ka bazë dhe evidencë të mjaftueshme të konstatoj që ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës Serbia pa përjashtim për qëllime politike dhe qëllime tjera jo demokratike në kundërshtim me praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane si dhe në kundërshtim më obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit jashtëligjshëm mund t’ju ndaloj arbitrarisht kalimin në territorin e saj”, është thënë në komunikatë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha institucionet e vendit i kanë ftuar dhe vazhdojnë t’i ftojnë institucionet e Bashkimit Evropian, dhe jo vetëm, që të korrigjojnë këtë sjellje agresive të Serbisë, por që fatkeqësisht deri më tani kjo nuk ka pasur asnjë efekt.
“Ndryshe nga këto praktika primitive të Serbisë, Republika e Kosovës vepron në formë të matur, të civilizuar dhe demokratike, dhe për dallim, nuk i trajton qytetarët e Serbisë në forma jo ligjore dhe jo demokratike, për aq kohë sa ata nuk janë të lidhur me krimin, dhe i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës. Ftojmë Serbinë, që përfundimisht të heq dorë nga praktikat fashiste, dhe të pranoj faktin që është pjesë e kontinentit evropian, ku liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit, dhe respektohet pavarësisht agjendave politike”, është theksuar më tutje në komunikatën e MPJ-së.
Ky njoftim mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë në lidhje me këtë zhvillim.
/Epoka e re/