MPJ-ja mohon lajmin për tërheqjen e njohjes nga Burundi
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) ka mohuar lajmin se Republika e Burundit ka tërhequr njohjen e Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme ka përcjellë me vëmendje të shtuar raportimet e medieve dhe deklaratave respektive nga autoritetet e Beogradit zyrtar për, kinse, ‘tërheqje të njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Republika e Burundit’. Ministria e Punëve të Jashtme rithekson qëndrimin e mëparshëm se raportimet dhe deklaratat e tilla janë vazhdimësi e politikës së Serbisë me mjete të betejës hibride, që përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në propagandën destruktive, dezinformuese dhe dashakeqëse me lajme të rreme dhe krijimin e narracioneve të paqena, të cilat qëllim parësor kanë minimin e forcimit të subjektivitetit dhe integrimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e MPJ-së e cila drejtohet nga Behgjet Pacolli.
Kjo ministri ka bërë me dije se nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Republika e Burundit që do të mund të konsiderohej në kundërshtim me Notën Verbale për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Republikës së Burundit më 16 tetor 2012.
“Ministria e Punëve të Jashtme ripërsëritë qëndrimin se e drejta ndërkombëtare nuk e njeh aktin politik të të ashtuquajturës ‘tërheqje të njohjes’, andaj çdo raportim dhe deklarim përkitazi me këtë çështje duhet të shikohet nga këndvështrimi i politikave dhe veprimeve të 3D-ve të sipërpërmendura nga ana e Serbisë në raport me Kosovën. Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se rasti me shtetin e Guinea-Bissau ishte dëshmia më e mirë e dekonspirimit të propagandës dhe synimeve serbe për manipulim me emra shtetesh dhe falsifikim vulash zyrtare”, është thënë në këtë njoftim.