MPJ-ja, mohon tërheqjen e njohjes nga Gana
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në largim të Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka cilësuar si gënjeshtër lajmin për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Gana
Ai ka thënë se pretendimet e ministrit të Jashtëm të i Serbisë, Ivica Daçiq, për këtë çështje janë vetëm propagandë. “Është një propagandë e vazhdueshme dhe një fushatë e ndyrë nga Ivica Daçiq dhe është e kotë të humbësh kohë me të”, ka thënë Zyberaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka deklaruar se edhe Gana mbështetet dialogun Kosovë-Serbi. “Çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Shumica e vendeve anëtare të OKB-së kanë votuar në vitin 2010, rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të që fillojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Zyberaj.
Lajmin për siç është thënë, tërheqjen e vendimit për njohjen e Kosovës nga shteti i Ganës e ka prezantuar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Daçiq, në anën tjetër, u ka thënë mediave në Beograd se Gana është shteti i 16-të që ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës.
Më 23 janar, 2012, Gana e njohu Kosovën si shtet të pavarur. Të njëjtin vit, të dy vendet vendosën edhe marrëdhënie diplomatike.