MPJ-ja: Nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol fitojnë të gjithë
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) nëpërmjet një deklarate për medie ka ritheksuar qëndrimin e saj zyrtar se procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Interpol i kontribuon fuqishëm rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit fqinjësor, rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e krimit transnacional dhe paralelisht me këtë ndihmon në forcimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit ndërkombëtarë.
Ministria e Punëve të Jashtme është shprehur thellësisht e bindur se ky proces i shërben jo vetëm interesit kombëtar të shtetit të Kosovës dhe shtetasve të saj, por edhe të gjitha shteteve anëtare të kësaj organizate dhe shtetasve të tyre.
Në mbështetje të kësaj Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të fitojnë të gjithë shtetet anëtare dhe shtetasit e tyre, ndërsa humbës do të jetë vetëm krimi-trasnacional.
“Republika e Kosovës, respektivisht organet e saj të rendit dhe Ligjit në dhjetëvjeçarin e tyre të ekzistencës si shtet kanë demonstruar profesionalizëm të lartë dhe ka marrë vlerësime të mëdha në kryerjen e suksesshme të operacioneve të përbashkëta transnacionale si me Interpolin dhe organizata të tjera, ashtu edhe si një anëtare serioze, kredibile dhe e përkushtuar ndërkombëtare në koalicionin global në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”, është thënë në deklaratën e MPJ-së.
Ministria e Punëve të Jashtme i ka prezantuar me kohë argumentet e saj bindëse ligjore dhe profesionale të gjitha shteteve anëtare në mbështetje të anëtarësimit të vendit në Interpol dhe u bën thirrje edhe njëherë të gjitha shteteve anëtare, që të votojnë në favor të rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit fqinjësor, rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e krimit transnacional, respektivisht anëtarësimit të Kosovës.
/Epoka e re/