MPJ-ja shënon 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë
Me rastin e shënimit të 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të premten është organizuar një pritje për të shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm ndaj shteteve aleate, partnere dhe mike.
Me këtë rast zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, ka thënë se ndërhyrja e NATO-s ndezi shpresën për shpëtim, liri dhe paqe.
“Shpresë legjitime për çdo qenie njerëzore – shpresa për të ekzistuar, ndjenja më sublime, që na bënë këta që jemi në cilindo cep të globit. Njëzet vite më parë, Millosheviqi, bashkë me regjimin e shtetit serb synonte që me dhunë të mbaj nën kontroll Kosovën, duke hequr qafe të gjithë të tjerët, pos aparatit të tij ushtarak e policor. Por, përgjigja, që qytetarët e Kosovës i dhanë, ishte: JO! Fatmirësisht, përgjigja që i dha edhe bota demokratike, ishte e njëjtë, përkundër hezitimeve fillestare. Aleancës së mobilizuar që u vu në lëvizje 20 vjet më parë, secilit nga shtetet pjesëmarrëse dhe çdo ushtari e zyrtari, që kontribuoi në fushatën e NATO-s, u jemi përherë mirënjohës”, ka deklaruar ajo.
Vuniqi ka thënë se ishte vullneti i popullit të Kosovës për liri që u sublimua në vullnetin e përbashkët për veprim, për reagim ushtarak pas dështimeve të diplomacisë dhe që në fund e bëri të pashmangshme ndërhyrjen humanitare të NATO-s.
“Ky vullnet dhe kjo rezistencë kundër padrejtësisë, shtypjes dhe dhunës, u kurorëzua me çlirimin e Kosovës. Krahas lirisë për ne, ai rezultoi edhe në kristalizimin e konceptit të Përgjegjësisë për të Mbrojtur, si detyrim i bashkësisë ndërkombëtare për të mos lejuar përsëritjen e gjenocidit, spastrimit etnik, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Është ky parim, që ua rikujton shteteve obligimin për të mbrojtur qytetarët e tyre nga mizoritë, por që rikujton, gjithashtu edhe obligimin e bashkësisë ndërkombëtare për të reaguar kundër shteteve, të cilat shndërrohen në mjet shtypjeje të qytetarëve”, është shprehur Vuniqi.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadorë dhe përfaqësues nga kori diplomatik i akredituar në Kosovë, atashe ushtarak, përfaqësues nga KFOR-i dhe zyrtarë të tjerë.
/Epoka e re/