MPJ mban mbledhje komemorative për diplomatin Xhafer Ahmeti
Me rastin e ndarjes nga jeta të diplomatit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka organizuar një mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
Në këtë tubim kanë marrë pjesë personalitete të larta vendore e ndërkombëtare, familjarë të të ndjerit dhe kolegë nga MPJ.
Para të pranishmëve ka folur ambasadori i Republikës së Kosovës në Malin e Zi, Skënder Durmishi, i cili ka shpalosur kujtime nga veprat dha angazhimet e të ndjerit Ahmeti gjatë karrierës së tij në diplomaci, dhe në përgjithësi kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës.
Për rolin Ahmetit si një diplomat i suksesshëm ka folur edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, duke e kujtuar Ahmetin si një personalitet me shkathtësi dhe përgjegjësi të larta shtetërore.
Në emër të familjes së të ndjerit, para të pranishmëve ka folur vëllai i Ahmetit, Myrteza Tërsteni, i cili ka falënderuar pjesëmarrësit e mbledhjes komemorative për ngushëllimet dhe mbështetjen për familjen.
Xhafer Ahmeti së fundi ka qenë diplomat i Republikës së Kosovës në Mal të Zi dhe për shumë vjet ka drejtuar Protokollin e Shtetit.
Ai ka qenë njëri nga diplomatët e parë pas pavarësisë.
Ahmeti ka ndërruar jetë të enjten, më 21 qershor në moshën 52-vjeçare. Pas vetes ka lënë gruan dhe dy djem.
/Epoka e re/