MPJD hap konkurs të brendshëm për misionet diplomatike
Në MPJD është shpallur sot konkurs i brendshëm për diplomatë ka njoftuar Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit Konjufca në MPJD.
Ahmeti ka thënë se kjo punë po bëhet për herë të parë që nga themelimi i MPJD-së.
“Gara e brendshme dhe procedurat transparente do të garantojnë përzgjedhjen më të mirë të mundshme të diplomatëve, të cilët do t’i zgjerojnë e thellojnë raportet me vendet e tjera dhe do t’i mbrojnë interesat e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Shkrimi i Ahmetit në “Facebook”:
Për herë të parë që nga themelimi i MPJ-së, sot është shpallur konkursi i brendshëm ku diplomatët tanë mund të kandidojnë për t’u dërguar në njërën nga misionet diplomatike të Republikës sonë.
Gara e brendshme dhe procedurat transparente do të garantojnë përzgjedhjen më të mirë të mundshme të diplomatëve, të cilët do t’i zgjerojnë e thellojnë raportet me vendet e tjera dhe do t’i mbrojnë interesat e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Më nuk ka dërgime në misione e gradime të diplomatëve të cilat bëhen me arbitraritet e në tavolinë të Ministrit. Tash e tutje do të ketë procedura transparente, me kritere objektive dhe rezultate të drejta dhe meritore.