MPJD-ja hap edicionin e 9 të Shkollës Diplomatike Pranverore

22 maj 2023 | 15:15

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht Akademia Diplomatike, në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Friedrich-Ebert”, ka hapur të hënën punimet e edicionit të 9 të Shkollës Diplomatike Pranverore.

Në ceremoninë e hapjes, diplomatëve nga 35 shtete të botës u është drejtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Duke u uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani ka thënë se Shkolla Diplomatike është një prej organizimeve më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila sjell në Kosovë diplomatë nga mbarë bota, për t’i krijuar e për t’i forcuar kështu edhe më tej raportet diplomatike mes tyre.

Presidentja Osmani, gjithashtu, u shpreh se Kosova ka shënuar progres në politikën e jashtme dhe se anëtarësimi në BE dhe NATO janë synimi kryesor, për të cilat është duke u punuar jashtëzakonisht shumë.

Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, Beqir Ismaili, u shpreh se edicioni i nëntë pasqyron nevojën për të kuptuar dhe për t’i përgatitur diplomatët për sfidat dhe mundësitë e diplomacisë ekonomike në një mjedis gjithnjë e më të globalizuar.

Ndërkaq, drejtori i FES-it, Rene Schlee, u shpreh se organizimi i Shkollës Diplomatike është një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar ura komunikimi mes shteteve dhe diplomatëve të rinj që synojnë përfaqësimin e politikave ndërkombëtare.

Ai u shpreh se tashmë tema e zgjedhur e këtij viti, që lidhet me diplomacinë ekonomike, ka një rëndësi parësore për të gjitha shtetet.

Edicioni i nëntë i Shkollës Diplomatike Pranverore ka mbledhur afro 40 diplomatë të rinj nga 35 shtete të ndryshme të botës, të cilët për pesë ditë do të qëndrojnë në Kosovë. Ata, përveç trajnimit, do të vizitojnë edhe vende historike dhe kulturore të Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shakira në fillim të kësaj jave publikoi këngën e saj…