MPJD-ja ul tarifat për shërbimet konsullore në ambasadat e Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë me dije se kanë ulur ndjeshëm tarifat për shërbimet konsullore në ambasadat e Kosovës.
Ajo ka shtuar se ulja e këtyre tarifave ka ardhur pas analizimit të tyre ku kanë parë se të njëjtat kanë qenë shumë të larta.
“Pasi kemi analizuar me kujdes tarifat e deritanishme për shërbimet konsullore dhe kemi konstatuar se shumica prej tyre, jo vetëm që janë mjaftë më të larta sesa shërbimet e njëjta brenda Kosovës, jam e lumtur dhe krenare që sot mund të paraqes para jush një strukturë të re të tarifave konsullore e cila përbën jo vetëm një ulje të dukshme të këtyre tarifave por njëkohësisht mënjanon edhe disa anomali të panevojshme si p.sh pagesat e larta për dokumente të cilat në fakt ndodhen brenda sistemit me të cilin shërbehen konsullatat tona. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin që në Gjermani në shtetin në të cilin jeton numri më i madh i mërgimtarëve tanë, tashme ka hyrë në fuqi, në fund të qershorit, edhe ligji për dyshtetësi. Pra është bërë edhe me urgjente jo vetëm nevoja për uljen e tarifave për rifitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës por edhe të thjeshtësimit të procedurave për rifitim të shtetësisë. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sa i vështirë dhe sa i dhimbshëm ka qenë për ata mbi 50 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët në mungesë të alternativave të tjera e kanë dorëzuar shtetësinë e Republikës së Kosovës për ta marrë atë gjermane. Konsullatat tona ju presin krah-hapur të gjithëve për të aplikuar sa më shpejt dhe pa burokraci të panevojshme për rifitimin e shtetësisë”, ka thënë Gërvalla gjatë një konference për medie.
Ajo u ka bërë thirrje mërgimtarëve, veçanërisht ata që janë në Gjermani, të kërkojnë rifitimin e shtetësisë së Kosovës.
Për rifitimin e shtetësisë, sipas Gërvallës, aplikimi është falas dhe pa procedura të tej zgjatura.
“E ju njoftoi se për rifitimin e shtetësisë tarifa është zero”, ka thënë Gërvalla.