MPJD reagon pasi u raportua se një nga rusët e shpallur non-grata është parë në Prishtinë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas lajmeve për prezencën e dy zyrtarëve rus të shpallur non-grata nga institucionet e Kosovës.
Nëpërmjet një komunikate për medie, thuhet se personi që ka dalë në media nuk është asnjëri nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinionin publik se lajmi që po qarkullon në disa media online lidhur me zyrtarin rus të shpallur person non-grata që kinse është parë në Prishtinë, është i pavërtetë. Personi që është ekspozuar në media nuk është asnjëri nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, të cilët u shpallën persona non-grata ditë më parë nga MPJD-ja”, thuhet në njoftim.
Po ashtu MPJD thotë se është në favor të informimit të drejt dhe të saktë dhe është e përkushtuar për të shmangur keqinformimin e audiencës.
Ndërkohë, për këtë rast ka reaguar sot edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media, duke thënë se dy personat, Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë larguar nga Kosovëa me datë 23 të këtij muaji.
“Dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.