MPMS-ja lanson nëngrantet për 27 OJQ lokale
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka bërë me dije se kanë lansuar nëngrantet për 27 organizata joqeveritare lokale të cilat do të ofrojnë shërbime cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe të rriturit në nevojë, si dhe për viktimat e dhunës dhe trafikimit.
“Angazhimi me përkushtim për rritjen e mirëqenies sociale në mënyrë gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët, sidomos ndaj grupeve të cenuara është privilegj dhe njëherit përgjegjësi në kuadër të besimit që më është dhënë për të udhëhequr me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”.
“Në kuadër të projektit, ‘Mbështetje më të mira sociale për grupet më të cenueshme në Kosovë’, mbështetur nga fondet e IPA-s, sot bashkë me Zyrën e BE-së, organizatën suedeze (SIDA) dhe organizatën ‘Save the Children’ lansuam nëngrantet për 27 OJQ lokale të cilat do të ofrojnë shërbime cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe të rriturit në nevojë, si dhe për viktimat e dhunës dhe trafikimit. MPMS-ja në bashkëpunim edhe me donatorët dhe partnerët tjerë, do të fuqizojë edhe më shumë ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, sidomos për grupet e cenueshme”, ka shkruar Reçica në llogarinë e vet në “Facebook” .
/Epoka e re/