MPMS-ja ofron mundësi trajnimi për personat me sindromën down
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skënder Reçica, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtoreshën e Shoqatës “Down Syndrome Kosova” Sebahate Hajdini-Beqiri për mbajtjen e trajnimeve profesionale për të rinjtë me sindromën down në qendrat e aftësimit profesional në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë.
Ministri Reçica gjatë vizitës në ambientet e kësaj shoqate ka thënë se kjo marrëveshje është një obligim moral dhe ligjor me qëllim që kjo kategori e shoqërisë të gëzojë jetë më të mirë.
Ai është zotuar se do jetë në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, dhe se kjo marrëveshje ka për synim që personat me sindromë down t’i sjell më afër tregut të punës.
“Projekti ka të bëjë që ne si ministri t’iu krijojmë mundësi kësaj kategori që të jetë sa më afër tregut të punës përmes trajnimeve profesionale që në qendrat e arsimit profesional”, ka deklaruar Reçica.
Ai ka përgëzuar Shoqatën “Down Syndrome Kosova” dhe stafin e saj për punën, duke ju premtuar mbështetje.
Kurse drejtoresha e Shoqatës “Down Syndrome Kosova” Sebahate Hajdini-Beqiri ka thënë se ky projekt ka të bëjë me fuqizimin e personave me sindromën down drejt punësimit.
Sipas saj, përveç trajnimeve profesionale në qendrat e arsimit profesional, pjesë e këtij projekti do jetë edhe hulumtimi i tregut të punës me qëllim të krijimit të mundësisë për punësim për këta persona.
“Jemi fokusuar në tri regjione, në regjionin e Mitrovicës, Prishtinës, Prizrenit ku brenda qendrave të aftësimit profesional do të iu jepet hapësirë personave me sindromë down për trajnim dhe aftësim profesional. Hap i dytë i këtij projekti do të jetë hulumtimi i tregut të punës. Të gjithë këta persona që do jenë pjesë e këtyre trajnimeve dhe ne si shoqatë do të fillojmë bashkëpunimin edhe me institucionet publike dhe me ato private për të krijuar mundësi punësimi për personat me sindromë down”, ka deklaruar Hajdini-Beqiri.