‘Mr. Jones’, një film për gazetarinë dhe gjenocidin e Stalinit në Ukrainë

21 prill 2020 | 13:24

Nga Daut Dauti

Ajo që duhet të thuhet në fillim është se regjisorja polake, Agnieszka Holland, ka bërë një film të mirë për këtë temë. Filmi fillon në vitin 1933 kur gazetari britanikë (uellsian) Gareth Jones, rolin e të cilit e luan James Norton, është në pozitë të këshilltarit për çështje të jashtme i kryeministrit britanik David Lloyd Gorge, i cili poashtu ishte uellsian. Lloyd George ka qenë një politikan oportunist dhe i zhdërvjelltë, i cili e kishte takuar Isa Boletinin në vitin 1913 në një bisedë të gjatë që e kishte mundësuar Aubrey Herbert. Me këtë rast Lloyd George i kishte dhënë shpresa Isa Boletinit se nuk do të mungonte ndihma britanike për shqiptarët. Por, siç u pa më vonë, George e injoroi tërësisht çështjen shqiptare dhe madje luajti rol negativ në krijimin e intrigave kundër Shqipërisë.

Këshilltari i tij, Jones, i cili ka qenë gazetar, në vitin 1933 e kishte intervistuar Hitlerin duke udhëtuar në aeroplanin privat të prijësit nacist gjerman. Me këtë rast Jones kishte zbuluar se Gjermania po përgaditej për luftë. Jones, si gazetar, kishte informata se diçka e pazakonshme po ndodhte edhe ne BRSS të udhëhequr nga Stalini. Në një mbledhje të qeverisë britanike, Jones, në pozitën e këshilltarit, ia bënë me dije kabinetit britanik për këto shenja që paralajmëronin një të ardhme ugurzezë. Gjermanët dhe sovjetikët po armatoseshin me të madhe. Ky ishte një fakt që shkonte në kundërshtim me ndërtimin e utopisë gjermane dhe sovjetike që në Perëndim pranohej pa ndonjë kritikë serioze. Askush në qeveri nuk dëshiron të dëgjoj këshilla të tilla. Britania e Madhe, sikur edhe shumica e shteteve të Perëndimit, kanë qenë komode me situatën ndërkombetare të atyre viteve dhe nuk dëshironin të dëgjonin parashikime të errëta edhe nëse ato ishin të vërteta. Kjo është arsyeja që kryeministri Lloyd George e liron Jones-in nga detyra e këshilltarit.

Më këtë rast, Jones, i cili fliste edhe rusisht, ia mësynë BRSS për ta intervistuar Stalinin.  Me të arritur në Moskë, Jones kupton se miku i tij, që i kishte dhënë shenja të një situate të çduditshme që po ndodhte në BRSS, ishte vrarë nga NKVD (shërbimi sekret rus) që e përcillte. Kontakti tjetër i Jonesit është Walter Durranty, korrespondenti i ‘New York Times’ në Moskë, rolin e të cilit e luan Peter Sarsgaard. Durranty kaq qenë një gazetar që kishte marrë çmimin Pulitzer, shpërblimin më të lartë për gazetari në SHBA. Fizikisht Dyrranty ka qenë tapall kurse shpirtërisht ndër gazetarët e këqinj që bëjnë dëme të mëdha në shoqëri. Ai ka qenë në shërbim të sovjetikëve dhe ka shkruar vetëm artikuj që e kanë idealizuar sistemin komunist sovjetik duke e fshehur realitetin. Për këtë arsye, sovjetikët ia mundësojnë Durranty-it jetën e mbretit, Prandaj, ky korrespondent amerikan në Moskë ka patur pushtet të pakufishëm dhe organizonte ahengje dekadente me argëtime të shfrenuara që përshkoheshin me orgji, alkool e drogë të shoqëruar me  xhez e kabare edhepse zyrtarisht të ndaluara. Kjo ka qenë jeta e shumë korrespondentëve të huaj në atë kohë kur pushteti sovjetik ua ndalonte gazetarëve të huaj udhëtimet jashtë Moskës dhe i ‘argëtonte’ në kryeqytet. Por, kjo nuk ka qenë jeta që e favorizonte gazetari Jones.

Jones, pasi që i pamundësohet intervista me Stalinin, ia del që ta bindë pushtetin për ta vizituar Ukrainën, për të cilin vend ka informata se mbretëron një uri e madhe. Në tren Jones ia del që t’i menjanohet përcjellësit të tij që ia kishte caktuar shërbimi sekret. Në mënyrë vetanake ai viziton fshatra dhe qytete ku merr vesh për një tmerr të madh që e kishte kapluar Ukrainën. Diktatura e Stalinit kishte krijuar uri gjenocidale, e njohur si Holdomor, nga e cila vdiqën miliona ukrainasë. Uria ishte aq e madhe sa që Jones përjeton situata të përhapjes së kanibalizmit. Stalini, e mblidhte grurin dhe tërë bereqetin në këtë vend për ta shitur në mënyrë që të siguronte para për armatim dhe që të siguronte normalitet në republikat tjera.

Ky film, nga shikuesit dhe kritikët është karakterizuar si dëshmi për gjenocidin e Stalinit në Ukrainë. Por, filmi ka edhe segmentin tjetër që duket se është injoruar. Segmenti i dytë, që duhet të jetë kryesori, është gazetaria apo mënyra se si shtetet diktatoriale në atë kohë kanë patur mundësi ta kontrollojnë informatën në dobi të tyre. Në këtë rast BRSS ia ka dalur ta bëjë të veten duke ushtruar dhunë ndaj gazetarëve të vet kurse të huajt i ka korruptuar. Por, rasti i Jones vërteton se nuk korruptohen të gjithë gazetarët.

Rrjedha e informatave, në një mënyrë, është kontrolluar (bllokuar) edhe në shtetet demokratike të Perëndimit. Artikulli i Jones refuzohet nga shumë gazeta të kohës dhe pas shumë problemeve, mezi botohet. Megjithatë, me këtë artikull informata për vdekjen masive të ukrainasve e merr dhenë dhe del në pah se shoqëria komuniste sovjertike nuk është ashtu siç është iponuar nga Moska dhe siç është përceptuar në Perëndim.

Filmi, i bazuar në ngjarje të vërtetë, e ka një problem. Këtu është inkorporuar George Orwell për t’i dhënë peshë përmbajtjes. Nuk ka dëshmi që Jones dhe Orwell janë njohur ose janë takuar ndonjëherë. Në film, sporadikisht lajmërohet Orwell duke e shkruar ‘Fermën e Shtazëve’ dhe është prezent edhe në ligjëratën që Jones e mbanë në lidhje me situatën në BRSS që e përshkruan në artikull. Madje, në bisedë Orwell sygjeron se ngjarja në Ukrainë ndoshta mund të arsyetohet për shkak se shteti sovjetik, i cili po ndërtonte një shoqëri ku shërbimet për qytatarë ishin falas, nuk mund t’i zhvilloj të gjitha segmentet në mënyrë paralele. Dyshimi i Orwell-it, sikur edhe i shumë intelektualëve majtistë në atë kohë, ka qenë i ‘arsyeshëm’. Intelektualët e kanë për detyrë që t’i përkrahin iniciativat dhe veprimet e proceseve të cilat ndërtojnë shoqëri të barabërtë për të gjithë njerëzit. Por, a ishte BRSS në këtë rrugë? Në atë kohë kishte dyshime dhe filmi e adreson këtë pikë.

Filmi, poashtu sugjeron se Jones ka qenë frymëzimi i Orwell-it për shkrimin e ‘Fermës së Shtazëve’. As kjo nuk është për të besuar. Orwell ka qenë një majtist apo socialist e komunist i llojit të vet, i cili nuk i ka duruar partitë e këtilla politike e sidomos qeveritë. Orwell është formësuar në socialist, apo në atë që e njohim sot, vetëm pas luftës civile në Spanjë ku ai mori pjesë në anën e anarkistëve që ranë në konflikt me komunistët e kontrolluar nga Moska. Duhet të mos harrojmë se edhe Orwell ka pasur vështirësi serioze me botimin e ‘Ferrmës’ së tij. Në atë kohë, edhepse pas luftës, mezi u gjet botuesi për shkak se Britania e Madhe ishte ende në aleancë me BRSS.

Sidoqoftë, ky film pasqyron gjenocidin në Ukrainë edhepse ka kaluar gati një shekull. Kurrë nuk është vonë për vepra e filma të këtillë. Të shpresojmë që nuk do të kaloj kaq shumë kohë që të bëhet një film i këtillë edhe për Kosovën pasi që të dy elementet, gazetaria dhe gjenocidi, janë prezente edhe në këtë rast.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10158469664519047&set=a.331195279046&type=3&theater

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka siguruar mbështetjen e gjitha…