“Mrekullia e tetë e botës” e Pllevnesh ose paradoksi i arrirë?!
Nga Ben Andoni
Që nga psikoanalizaderi tek gërshetimi i disa rrymave në letërsi
Një lexues i parregullt, nga këta syresh që i has shumë në mjedisin ballkanik, do të mërzitet me të drejtë që në faqet e para të librit “Mrekullia e Tetë e Botës”. Oh, një tjetër çudi ballkanase! Bota e ka qendrën në Maqedoninë e Veriut?! Nuk mbaruan vallë këta në Ballkan?! Nga ana tjetër, ai që është lexues i rregullt dhe i kujdesshëm do të kuptojë se përballë ka një shkrimtar jo të zakonshëm dhe do të grishet për të shkuar më tej e më tej për të parë sesi e ka zgjidhur fabulën Jordan Plevnes, që vjen për herë të parë në shqip, falë përkthyesit Agim Poloska me Shtëpinë Botuese “ARMAGEDONI” nga Prishtina. Dhe aty, ku sapo nis pika e ngjizjes ku trajtohet vepra dhe shtjellohet i gjithë subjekti, lexuesi i mirë do mrekullohet se po nis të lundrojë në një letërsi cilësore. Një të tillë që e diferencon autorin dhe e bën të mirëpritur letërsinë e tij. Në romanin e tij “Mrekullia e Tetë e Botës”, Pllevneshfalë sensit të tij të humorit dhe ironisë skajore me zgjuarsinë e veçantë të përcjell drejt një realiteti që është sfidues edhe për Realizmin Magjik. Krijon një personazh “të zakontë” me perceptim jo të zakonshëm në një botë të pazakontë. Vetë fryma në veprën e Pllevneshështë plot paradokse, si është edhe vetë Ballkani. Personazhi i tij Simsar është në mëdyshje, pasi nuk e vendos dot ku duhet vendin e Mrekullisë së tij të Tetë Botërore. Shumë ndërtues, na thotë narratori, do vdisnin nga vetëdija se në Ballkan asgjë nuk është ndërtuar atje ku duhet…Që nga psikoanaliza, autori ynë na përcjell në gërshetimin e disa rrymave në letërsi, që ai i përdor fare natyrshëm në funksion të subjektit të vet. Ku për të çliruar tensionin hera-herës, ai të përcjell në ishull mendimi dhe perceptimi deri të tilla si p.sh. “nëqoftëse dy veta bëjnë dashuri në Ballkan, këtë e bëjnë nëpërmjet një të treti që është në varr”…
Protagonisti i tij Aleksandër Simsar, niset në libër me fabulën e zgjedhur që nga vdekja e të atit prej këngës mortore për të abstraguar dhe shumë vite më pas kur përfundon në portën e Evropës në Hamburg, tashmë si arkitekt, do të tërheqë vëmendjen e byrove arkitekturore-projektuese…me ëndrrën e krijimit të një vepre arti aty në Ohër, ku do rreket të ndërtojë nga guri. Qëllimi është të lerë gjurmë të pashlyeshme në botë gjatë kohës së jetës së tij vdekse…e këtë e arrin vetëm
gjatë 3.3 sekondave të fundit të jetës së tij në Berlin në 1989. Dhe, pak javë para rënies së Murit të Berlinit, parashikon krijimin e një monumenti – mrekulli e tetë e botës – që do të integrojë dhe e përqafonte njerëzimin në të gjitha shtresat e tij dhe fytyrat. Në këtë roman, ku absurdi dhe paradoksi jetojnë normalisht Pllevneshna krijon një utopi të një lloji ballkanik, ashtu si janë edhe dallimet e religjionit në botë: Krishterimin, Islamin, Judaizmin, Budizmin, madje edhe Satanizmin.
Një roman ku autori historia dhe fabula ngjizen prej humorit të tij të zi të përcjell me shumë dituri
Jordan Pllevnesh e përcjell të gjithë fabulën e vet me shumë talent. Me atë renome ndërkombëtare që posedon, duket se nuk ka ndonjë interes të madh apo ngut të përkthehet. Ai është bajagi i përkthyer dhe për më tepër në gjuhët kryesore, por në këtë libër të titulluar “Mrekullia e tetë e botës”, sfida e tij është e tjetër lloji. Ai përmes një personazhi, që mund të gjendet vetëm në këtë areal, siç është Ballkani përcjell metaforën e një hiperbolë. Dhe, kjo bëhet përmes ëndrrës së personazhit tonë që kërkon të bëjë të pamundurën: ta ngrejë një Mbi-Objekt… nga një arkitekt me origjinë maqedonase. Për një njeri që njeh mirë Ballkanin, kërshëria s’është personazhi por vetë situata dhe sesi personazhet në këtë areal janë të destinuar të krijojnë paradokset po kaq natyrshëm sa vetë jeta. Dhe Aleksandër Simsari, një përzierje e këtyre personazheve që ka sjellë historia e letërsisë në rajon dhe jo vetëm, e bën përmes një elementi teknik. Përgjatë zhvillimit të veprës futet elementi i 3.3 sekondave që lexuesi mund të llogarisë nga kohëngjarja e rrëzimit të tij nga Kisha e Kujtesës në Berlin. Kjo shifër mban ritmin por edhe përcakton një element, ku autori përmes historisë dhe fabulës që ngjizet prej humorit të tij të zi përcjell shumë dituri. Libri mund të shijohet jo thjesht në kërshërinë e vet për masën e madhe të diturisë por nga ana tjetër edhe për sintezat e ndryshme, që autori i bën duke përcjellë kulturën personale por edhe paradoksin. Bota mbahet nga paradokset dhe letërsia mund të shijohet si e tillë, por autori jonë shkon edhe më sipër, kur përmes përdorimit të vetës së tretë, që i jep narratorit, sjell atë që i kërkon krijimi i subjektit të vet: “Secili që do të lexojë këtë libër mund vetë të supozojë se për ata 3.3 sekonda në kokën e heroit tonë ka kaluar mendimi i katalonasit të madh, Gaudit, se arkitekti është njeri i sintezës dhe se ai gjërat i shikon në tërësi para se të realizohen, i studion dhe i lidh elementët e personazhit të tyre, marrëdhëniet dhe largësitë e tyre reale. Dhe shkojmë më tutje me Gaudin: në arkitekturë forma është në vendin e katërt. Së pari është situata, së dyti përpjestimi (madhësia-vendi), së treti materiali dhe ngjyra dhe së katërti forma”.
Situata ku autori jonë flet me anë të personazhit të tij abstragohet në malin e Maqedonisë Galiçica, që ndan dy liqenet e territorit shqiptaro-maqedon, Liqeni i Ohrit dhe ai i Prespës. Dhe, ja si do na parashtrohen përpjestimi në përfytyrimet e veta: Mrekullia e tetë do të shtrihet në një gjatësi prej 1000 metrash dhe gjerësi 250 metrash. Të gjitha 365 shtyllat do të vendosen në mënyrë të barabartë njëra pranë tjetrës në një largësi prej 5.5 metrash dhe vëllim prej 1962 metrash. Në mes të gjithë shtjellës mbetet djepi që përbën një lloj sinteze të ngjizjes së këtij lloj uniformiteti, ku do gurëzohet përjetësisht ideja e përfaqësimit të 6380 gjuhëve në listën e UNESCO-s e të gjitha diversiteteve kulturore. Plevnes, me këtë rast, i jep kanonit të së bukurës një pushtet ndaj historisë së botës dhe ndaj thirrjeve tona të natyrshëm për likuidimin e tjetrit. Në fakt, aty gjen edhe një përgjigje me këtë humor të rrallë nëse njerëzimi ka apo jo një shans në të ardhmen e botës.
Autori, me një jetë akademike dhe diplomatike të spikatur, e njeh aq shumë Ballkanin saqë e merr tharmin e saj të murrëtyer dhe na sjell faktin se ka ardhur koha të mendojmë që masakrat në këtë hapësirë kaluan çdo cak, kurse bota ka referime të tjera. Pas “Ukrainës”, mënyra sesi po ndryshon bota po na tregon se të gjithë jemi të rrezikuar paq dhe nuk dihet më se nga vjen e keqja. Bota është kaq e kërcënuar saqë përpjekja e personazhit tonë në kuturisjet e tij dhe në përzierjet e gjendjeve pothuaj të duket krejt reale. Ndaj, në botën që njeh më mirë, Maqedoninë e tij, Pllevnesh e konsideron si një “laborator evropian” dhe sjell këtë libër. Që kur e lexon dhe bëhesh një me ironinë e tij për vendin e vet, kohën, qytetërimin kupton se ne jetojmë me paradoksin e ngërçit por edhe me përfytyrimet…që e kërkojnë ankthin. Ndaj, Aleksandri i tij do të krijojë një monument, që kur e parashtron para dëgjuesve është më shumë një make-up për këtë ndjesi të keqe që e ka kapluar krejt kohën tonë. “Rajoni jeton në një tragjedi vetmie. Por i magjepsur nga zbulimi i qytetërimit botëror, unë insistoj se tani ekziston një unitet rreziku (ashtu si ne flasim për unitetin e kohës ose vendit) në nivel global. Prandaj problemet nuk kanë të bëjnë vetëm me Ballkanin, ato janë evropiane dhe globale”, përgjigjej diku Pllevnesh për artin e vet, duke treguar me sintezë të sotmen tonë.
***
Kush është Jordan Plevnes
Jordan Pllevneshështë lindur në vitin 1953 në Maqedoni. Ai shkruan drama, romane poezi dhe ese. Vepra e tij është përkthyer në mbi 50 gjuhë, së fundi në shqip. Idealizmi i tij shpirtëror është i lidhur ngushtë me mitin e Ballkanit si zemra e Evropës. Që nga viti 1988, jeton në Paris. Ai ka qenë ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Francë, Spanjë, Portugali dhe UNESCO. Dramat e tij janë përkthyer dhe luajtur në skenat e huaja dhe vendase me shumë sukses.