MRI-ja na mundëson shikimin e organeve nga brenda pa ndërhyrje nga jashtë
Bisedë me specialistin e radiologjisë diagnostike, Sami Rustemi
Specialisti i radiologjisë diagnostike, i mjekësisë nukleare, i radio-onkologjisë, Sami Rustemi (1974, Gjilan), i cili jeton dhe punon në Zvicër, ka publikuar librin “Bazat dhe ekzaminimet në MRI”, i cili në gjuhën shqipe është shumë i rrallë për shkak se shërbime të MRI-së (Tomografi të Rezonancës Magnetike) në Kosovë kanë nisur të bëhen shumë vonë, kryesisht në klinika private.
Ky libër, “Bazat dhe ekzaminimet në MRI”, është ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë lexuesit i ofrohet njohuri bazike, kurse në pjesën e dytë janë përmbledhur metodat teknike se si duhet të realizohen ekzaminimet në tomografinë e rezonancës magnetike TRM (MRI). Në këtë libër studimor dhe praktik janë paraqitur disa prej ekzaminimeve të pacientëve të bëra në disa spitale në Zvicër, aty ku ka punuar dhe punon autori i këtij libri, të cilin e ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni”.
Për këtë libër për gazetën “Epoka e re” ka folur autori i librit, i cili ka treguar se rezonanca magnetike, si teknologjia më moderne në fushën e diagnostikës mjekësore, ka pasur përparim në njëzet vjetët e fundit në vendet e zhvilluara perëndimore, kurse në Kosovë ka nisur të përdoret tashti vonë, kryesisht në klinikat private. Rustemi ka thënë se në gjuhën shqipe, edhe pse ka bërë kërkime gjatë hartimit të tekstit të vet, nuk ka gjetur ndonjë libër për MRI-në, prandaj “në këtë libër kam përmbledhur njohuritë e mia për MRI-në të fituara nga përvoja ime më shumë se njëzetvjeçare në klinika të ndryshme në Zvicër në të cilat kam punuar dhe punoj”.
Rustemi ka bërë me dije se libri i tij “Bazat dhe ekzaminimet në MRI” u duhet studentëve të lëmit të MRI-së dhe profesionistëve teknikë të cilët janë të angazhuar në institute të ndryshme të radiologjisë në Kosovë e të cilëve u mungojnë njohuritë rreth MRI-së dhe përdorimit të sistemit të hapur dhe të mbyllur.
Rustemi ka thënë se MRI-ja, apo tomografia e rezonancës magnetike, mundëson shikimin e organeve nga brenda pa ndërhyrje nga jashtë. Sipas tij, kjo përbën një fushë të fortë magnetike dhe, ndryshe nga rëntgendiagnostika (rëntgeni konvencional apo CT tomografia kompjuterike), në MRI pacientët nuk u nënshtrohen rrezeve të rëntgenit.
Libri është ilustruar edhe me fotografi gjatë ekzaminimeve të pacientëve në MRI. Sipas Rustemit, fotografitë janë të pacientëve anonimë, por nëpërmjet fotografive dhe rasteve të ekzaminimeve mund të kuptohen më lehtë metodat teknike për skanimin e organeve. “Studentët apo personeli profesionist, nëpërmjet imazheve që kam paraqitur në libër, e kanë më lehtë të kuptojnë si duhet të realizohen prerjet në fushat e ndryshme – në rrafshin transversal, koronar apo sagital, gjegjësisht të bëjnë planifikimin e sekuencave për skenim.
I pyetur se cili sistem i MRI-së është më i saktë, më i përdorshëm, ai i hapur apo i mbyllur, Rustemi ka thënë se të dy sistemet kanë rëndësinë e tyre. “Sistemi i mbyllur ka një fushë shumë më të fortë magnetike. 1-3 Tesla është më i përhapur për shkak të fushës së fortë magnetike, kurse anë negative mund të llogaritet frika nga vendet e mbyllura që ndiejnë disa persona. Ndërkaq, sistemi i hapur ka një fushë shumë më të dobët 0.5 1 Tesla dhe në shumë klinika është sistem dytësor, pasi këtu mund të kryhen intervenime të drejtpërdrejta në pacientë (punksione, biopsi).
Ai ka treguar se ekzaminim në MRI nuk duhet ta bëjnë ata persona që kanë kundërindikacione si, p. sh., pacemaker në zemër, pompa të insulinës, pompa kundër dhimbjeve, klipsa metalikë, pacientët me temperaturë të lartë (pasi trupi absorbon energji, nxehtësi gjatë skenimit në MRI), shtatzënat në muajin e tretë etj. “Pacientë, para se të bëjnë ekzaminim në MRI, duhet ta mbushin pyetësorin, në të cilin duhet të përgjigjen në secilën pyetje, pasi fillimisht duhet ditur gjendja e tyre shëndetësore”, ka thënë Rustemi.
Megjithatë, ai ka shtuar se deri më sot nuk ka asnjë rast të regjistruar në të cilin pacientët kanë raportuar dëme nga MRI-ja, e cila mundëson të shohim nëse organizmi ynë i brendshëm ka pësuar ndryshim organik apo funksional.
Rustemi ka thënë se në Kosovë ka mungesë të përvojës në këtë fushë të ekzaminimit të pacientëve në MRI. Ai ka pasur rastin t’i shohë të afërmit e vet nëpër institute të radiologjisë në Kosovë dhe në klinika private dhe aty ka parë mungesë të njohurive bazike të teknikëve të radiologjisë jo vetëm në MRI. Ai ka parë, ndër të tjera, që CT-Thorax skanohen në exspiracion e jo në inspiracion.
/Epoka e re/