MRIKA DHE FATI I SAJ

30 mars 2018 | 16:21

 

Bujar Meholli

 

-Çohu, Mrikë! Çohu, moj- i thoshte e ëma që rëndom zgjohej herët në mëngjes. Ishte grua me trup të mesëm, me flokë të kuqërremtë. Kohët e fundit, shëndeti lozte me të, por ajo s’i nënshtrohej. Rregullisht i ngjyroste qimet e thinjura në tëmthat dhe pudroste fytyrën që i lëshonte një erë të mirë, por s’i fshihte dot vuajtjet e shumta. Vdekja e bashkëshortit para dy viteve nga infarkti, dhe zhdukja e të afërmve të saj gjatë Luftës së fundit, për të cilët s’diti kurrë gjë, ia kishin rënduar ndjeshëm jetën. Kështu, vdekja e të shoqit ishte goditja e radhës për të. Gjithë shtëpia ra mbi supet e saja.Për gjithë ëndrrat që dot s’i realizoi, lutej që t’i shihte të realizuara te e bija. Për Mrikën, qe e gatshme të sakrifikonte e të bënte gjithçka. Mrika, nuk i shëmbëllente kush e di sa, të ëmës. Kish hundën e vogël si të saj, dhe gropëzat në faqe që i formoheshin kur buzëqeshte, por më shumë ngjasonte me të atin. Pos syve dhe flokëve të zinj, qafës së gjatë dhe vetullave afër njëra-tjetrës, ajo kish trashëguar nga i ati sinqeritetin, hera-herë të tepruar. Ajo i besonte lehtë tjetrit dhe s’priste që të gënjehej, a t’i keqpërdorej besimi. E ëma ndryshonte, paçka se ish e sinqertë dhe shumë e dashur me njerëzit. Mrika, ish 20 vjeç dhe kish hedhur shtatin.Nuk e fshihte mungesën e ndonjë motre a vëllai. Nganjëherë ndihej shumë e vetmuar. Kish trup të bukur, që i bënte njerëzit të kthenin kokat kur ajo kalonte rrugës. I spikasnin gjinjtë e rregullt që ngadalë kishin filluar t’i mbusheshin si dhe këmbët e drejta ia bënin ecjen shumë sensuale.

-Po po, nanë, u çova ia ktheu të ëmës me qeshje në fytyrë.Ish ngahera e buzëqeshur dhe dukej simpatike edhe ashtu e shtrirë në krevat e pa rregulluar dhe e pa krihur.U ngrit shpejt dhe iku për në Universitet.Qe ndër studentet më të mira të Stomatologjisë, dhe me punën e madhe që bënte në studimet, i kalonte lehtë edhe provimet e rënda që të tilla mbesin për studentët tjerë…

Një ditë u kthye e lodhur në shtëpi, dhe gjeti të ëmën duke përgatitur drekën. U përqafuan, ngrënën dhe në mbrëmje të dyja u ulën për çaj, të cilin natyrisht hijshëm ashtu si dhe drekën, e shërbeu Mrika.U llafosën për shumë gjëra, mes të cilave për mësimin në Fakultet, punët e rëndomta dhe… për fatin e Mrikës, të cilin zonja e shtëpisë s’donte të vdiste pa e parë, përjetuar dhe kënaqur me të.

-Nanë, është një djalë…

Oh! Bëri zonja e lumturuar duke ia ndërprerë llafin dhe me sy të shqyer zuri ta shihte të bijën, tek buzëqeshte.

-Ngadalë de, nanë!Është një djalë, po them, që studion bashkë me mua, pra e kam kolegë. Kam vërejtur që është i gatshëm të më ndihmon kur nganjëherë s’marr vesh diçka, se ai është shumë i zoti nanë! Është shumë i mençur, edhe notat i ka të larta…

-S’është më i mirë se çika ime! – kërceu zonja. Buzëqeshën të dyja, derisa zonja vazhdoi.

-Ani, çka i ke punët me të? A po të pëlqejka ty, ai djalë, a? Ti e din, Mrikë, të kam thënë shumë herë të kesh kujdes, bijë! Dy sytë e bukur që i ke, t’i bësh katër, se ti nanë, s’je për çfarëdo djali.

-E di, moj nanë! Ehu! Larg shkove edhe ti. Unë s’kam gjë me atë djalë, vetëm desha me të tregu mbasi më pyete për fatin tim, se djemtë e mençur që mendojnë të bëjnë karrierë në jetë, mund të bëhen fati im!

-Ky djaloshi, s’i paska punët keq pra, asaj rruge qenka, ia ktheu e ëma, duke qeshur dhe tundur kokën.

-Uff, nanë edhe ti, ia bëri e bija dhe e mori në krahë.

Kur fati don të tregohet i keq me njeriun, ia bën atij jetën tejet të vështirë, siç ia bëri Mrikës tonë, të cilës në vazhdim të jetës studentore i ndodhi diçka e tmerrshme. Studentja e mjekësisë, ishte pothuajse e fejuar me kolegun e saj, i cili e mbushtte me fjalë të ëmbla, si autor erotik francez.Ish i dashur me të, i arrirë në mësimet, veçse thellë në vete; hipokrit dhe mashtrues. Në fakt, ai kish kohë që shkonte me njëfarë Aurorën, e cila ish bërë objekt i tij, për kënaqësi seksuale.

-Mrikë e dashur, i thoshte, je banore e përjetshme në zemrën time, ma bën mendjen dhallë, fytyra jote më sjell gëzime…

Mrika jonë tepër e sinqertë, e donte me gjithë zemër, dhe ia fali veten atij. S’dinte ta përshkruante me fjalë dashurinë që ndiente për të, që në fakt e kish ndierë kaherë.Ish e bindur se kjo qe dhuratë nga Perëndia, andaj ajo duhej ta ruante, vetëm se trishtohej, pse s’ish babai dhe dajtë ta shihnin kur së shpejti, do të nusërohej…

Por, ishte e ëma, e cila s’ndiente kurrfarë dhembje më; i kish mundur të gjitha dhe fytyra i shkëlqente si diell pa re. Edhe Mrika ndihej e sigurtë tek ecte rrugës dhe as i bëhej vonë fare për fjalët ngacmuese nga burrat e djemtë, që asaj i ngjasonin me ujqërit e përjargur. Por, s’i thoshte gjë të dashurit me të cilin e kishin lënë të takoheshin afër Hotelit Grand, pastaj të shkonin gjetkë dhe ai t’i bënte zyrtarisht ofertën për fejesë. Ëmë e bijë, ishin në delir…

Fejesa nuk u bë, por do të bëhej… Sepse djaloshit i ishin shfaqur papritmas ca probleme. Sidoqoftë, ai ndiente dashuri ndaj Mrikës, ndërsa ajo dyfish ndaj tij. Zonja e shtëpisë kish filluar të ankohej se dhembjet prapë s’e linin të qetë, dhe sa i largoheshin i ktheheshin edhe më të forta. Lumturohej vetëm kur shihte të bijën mirë…

Mbasditja e asaj të marte, për të cilën do t’iu tregojmë më poshtë, ishte tmerruese për Mrikën, e cila ngushëllohej në krahët e të dashurit të saj, por shqetësohej vazhdimisht për shëndetin e të ëmës. Dielli ngrohte lehtë tokën, teksa ajo po ecte e veshur me një këmishë ngjyrë blu të errët. Dukej madhështore.

I dashuri dhe kolegu i saj s’u pa në fakultet atë ditë, as iu lajmërua thirrjeve të vazhdueshme të Mrikës. Kjo e fundit, natyrisht e shqetësuar vriste mendjen, pse kish ndodhur kjo. Trupi i bukur, i drejtë, iu ngri i tëri kur me sytë e saj, pa një djalosh që mbante për beli një vajzë me flokë të bardha, dhe me barkun pak të fryrë. Ishte ai dora vetë, për të cilin ajo s’dinte a të ndiente urrejtje apo neveri. Ajo duhej të ishte Aurora! I mallkuari! Gjithë ajo kohë e shkuar dëm, gjithë ato premtime, gëzime, përkëdhelje, letra të parfumosura. Ç’njeri të jetë vallë ky? Nëse mund të quhet i tillë! Ajo s’e kish njohur fare! Mrikës iu duk se automatikisht e çuan vetë këmbët në shtëpi, edhe pse të lodhura dhe të rënduara, por të bukura. Lotët ia lagën sytë, dhe zemra iu copëtua siç copëtohet një vazo e hedhur nga një ndërtesë e lartë. E dërmuar hapi derën, dhe u fut në brenda për të gjetur ngushëllimin te e ëma. Por s’po dëgjohej muzika, që rëndom e ndihej kur hynte në shtëpi. Mbretëronte një qetësi e thellë.

-Nanë! – thirri me fytyrë të përhumbur dhe me zë pak të lartë. Erdha unë.

Përgjigjja s’iu kthye, dhe kur hyri shpejtazi në sallon gjeti të ëmën ulur në një krah, me fytyrë krejt të zbehtë…

-Naaaaaaanë! briti me sa fuqi kishte Mrika e gjorë!

Por, e ëma i kish lënë shëndenë…

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka rritur marrëveshje me…